Tarifat e Kanadasë dhe Meksikës do të fillojnë muajin e ardhshëm

Presidenti Donald Trump tha të hënën se tarifat e tij ndaj Kanadasë dhe Meksikës do të fillojnë muajin e ardhshëm, duke i dhënë fund një pezullimi njëmujor të taksave të planifikuara të importit që mund të dëmtojnë potencialisht rritjen ekonomike dhe të përkeqësojnë inflacionin.

“Ne jemi në kohë me tarifat dhe duket se kjo po ecën shumë shpejt,” tha presidenti i SHBA në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Ndërsa Trump po i përgjigjej një pyetjeje specifike në lidhje me taksat që do t’u ngarkoheshin dy partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, presidenti i SHBA theksoi gjithashtu më gjerësisht se tarifat e tij “reciproke” të synuara ishin në plan për të filluar që në prill.

“Tarifat po shkojnë përpara në kohë, sipas afatit”, tha Trump.

Trump ka pohuar se vendet e tjera ngarkojnë taksa të padrejta të importit që kanë ardhur në kurriz të prodhimit vendas dhe vendeve të punës. Kërcënimet e tij pothuajse të vazhdueshme për tarifat kanë ngritur tashmë shqetësime midis bizneseve dhe konsumatorëve për një ngadalësim ekonomik dhe përshpejtim të inflacionit. Por Trump pretendon se taksat e importit do të gjeneronin përfundimisht të ardhura për të reduktuar deficitin buxhetor federal dhe vende të reja pune për punëtorët.

“Vendi ynë do të jetë përsëri jashtëzakonisht likuid dhe i pasur”, tha Trump.

Në një intervistë me Fox News të hënën vonë, Macron tha se shpresonte se do ta kishte bindur Trumpin të shmangte një luftë të mundshme tregtare, duke vënë në dukje vështirësinë për të përballuar një aleat tradicional si Evropa, ndërkohë që përdor tarifat në të njëjtën kohë për të sfiduar fuqinë industriale të Kinës.

“Ne nuk kemi nevojë për një luftë tregtare,” tha Marcon. “Ne kemi nevojë për më shumë prosperitet së bashku.”

Shumica e ekonomistëve thonë se kostoja e taksave mund të përballohet në masë të madhe nga konsumatorët, shitësit me pakicë dhe prodhuesit si kompanitë e makinave që e furnizojnë globalisht dhe mbështeten në lëndët e para si çeliku dhe alumini që Trump, tashmë, i tarifon me 25%.

Megjithatë, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum u shfaq e sigurt të hënën se administrata e saj do të arrinte marrëveshje me qeverinë amerikane përpara afatit të caktuar nga Trump.

“Do të na duhet të arrijmë marrëveshje të rëndësishme këtë të premte,” u tha Sheinbaum gazetarëve të hënën në mëngjes përpara komenteve të Trump. “Për të gjitha çështjet ka komunikim dhe ajo që na nevojitet është të përfundojmë këtë marrëveshje, besoj se jemi në një vend për ta bërë atë.”

Nëse është e nevojshme, ajo tha se do të kërkonte të fliste sërish drejtpërdrejt me Trump. Në diskutimet e nivelit të lartë midis të dy qeverive. Meksika ka këmbëngulur që SHBA-ja gjithashtu të shikojë me kujdes shpërndarjen dhe konsumin e drogës në vendin e saj në vend që të tregojë vetëm prodhimin në Meksikë, tha Sheinbaum.

Latest news
Related news