Ministria e Jashtme e Iranit e quajti “anti-iraniane” një rezolutë të bordit të guvernatorëve të Agjencisë Atomike të OKB-së dhe kërcënoi me veprime hakmarrëse të papërcaktuara, raportuan të premten mediat shtetërore.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) të enjten kërkoi që Irani të bashkëpunojë plotësisht me agjencinë dhe të ofrojë “informacione të sakta” për stokun e tij të uraniumit pranë nivelit të përdorimit për armë, si dhe t’u japë inspektorëve të saj qasje në objektet bërthamore iraniane, raporton AP.
Një raport i agjencisë zyrtare IRNA të premten citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, të ketë thënë se Irani i ka njoftuar IAEA-n me bazë në Vjenë me një letër se, përveç përfundimit të një marrëveshjeje të arritur gjatë verës në Kajro, qeveria iraniane mund të ndërmarrë “veprime të tjera” si përgjigje ndaj rezolutës të së enjtes.
Irani pezulloi gjithë bashkëpunimin me IAEA-n pas luftës me Izraelin. Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Mariano Grossi, arriti një marrëveshje me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Kajro, në fillim të shtatorit për të rinisur inspektimet.
Baghaei nuk dha menjëherë detaje se çfarë veprimesh të mëtejshme mund të ndërmarrë Irani, por një mundësi është pasurimi i mëtejshëm i uraniumit. Ai e akuzoi IAEA-n se po përforcon “mëritë” që SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mbajnë kundër Iranit.
Ministri u ankua se rezoluta nuk përmend faktin që Irani ndaloi inspektimet për shkak të sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane në qershor.
Rezoluta e IAEA-s hap rrugën për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes Agjencisë Bërthamore të OKB-së dhe Iranit, i cili ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të ngjashme të agjencisë në të kaluarën.
Pas një lufte ajrore 12-ditore në qershor me Izraelin, Irani pezulloi çdo bashkëpunim me IAEA-n. Sulmet në Iran vranë gati 1.100 persona, përfshirë komandantë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Pas marrëveshjes për të rifilluar inspektimet në shtator, OKB-ja rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit më vonë atë muaj, përmes mekanizmit të ashtuquajtur “snapback” të përfshirë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, duke nxitur një reagim të ashpër nga Teherani dhe duke e çuar atë të ndalojë zbatimin e marrëveshjes së Kajros.



