Tenderi 710 mijë eurosh në Fushë Kosovë me afate të dyshimta dhe specifika që kufizojnë konkurrencën (VIDEO)

Derisa Komuna e Fushë Kosovës e ka arsyetuar gjendjen e emergjencës me krizën e mbeturinave, një tender në vlerë prej 710 mijë eurosh për blerjen e automjeteve komunale ka ngritur dyshime për mënyrën se si është zhvilluar procedura e prokurimit.

Dokumentet e siguruara nga KIKS Kosova tregojnë se, përveç përdorimit të një afati të shkurtuar për ofertim, dosja e tenderit përmban edhe specifikime teknike që mund të kufizojnë konkurrencën. Në fund të procedurës, në garë kanë mbetur vetëm dy operatorë ekonomikë.

Bëhet fjalë për tenderin “Blerja e kamionëve për grumbullim të mbeturinash, fshisë për pastrimin e rrugëve dhe cisternë për zhbllokim të kanalizimeve”, me vlerë të parashikuar prej 710 mijë eurosh. Në një kontratë të vetme janë përfshirë katër kategori të ndryshme pajisjesh, ndërsa autoriteti kontraktues ka vendosur që procedura të mos ndahet në lote.

Mosndarja në lote është një nga elementet kufizuese, pasi vetëm kompanitë që mund të furnizojnë të gjitha kategoritë e automjeteve kanë pasur mundësi të konkurrojnë për të gjithë tenderin.

Një tjetër element lidhet me afatet. Njoftimi për kontratë është publikuar më 3 qershor, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ka qenë më 24 qershor. Komuna ka përdorur procedurën me afat të shkurtuar, duke e arsyetuar këtë me nevojën urgjente për sigurimin e shërbimeve komunale. Megjithatë, gjendja emergjente për mbeturinat është shpallur vetëm më 13 qershor, pra dhjetë ditë pas publikimit të tenderit.

Ligji për Prokurimin Publik përcakton se për kontratat e mëdha në procedurë të hapur afati për pranimin e ofertave duhet të jetë jo më pak se 40 ditë, ndërsa në këtë rast Komuna e Fushë Kosovës ka caktuar një afat prej vetëm 21 ditësh.

Dokumentacioni përmban edhe specifikime teknike që mund të kufizojnë konkurrencën. Në dosjen teknike për autofshisën vakum kërkohet, ndër të tjera, “transmision manual ZF me minimum gjashtë shpejtësi”. ZF është markë tregtare ndërkombëtare e prodhuesit të transmisioneve, ndërsa në dokumentacion nuk figuron formulimi “ose ekuivalent”, që zakonisht përdoret për të shmangur favorizimin e një marke apo prodhuesi të caktuar.

Gjatë zhvillimit të procedurës, operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha Sh.P.K. paraqiti kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar se disa nga kriteret ishin të panevojshme dhe kufizonin konkurrencën. Ndër të tjera, kompania kundërshtoi kërkesën për garancion nga operatori dhe prodhuesi njëkohësisht, autorizimin ekskluziv nga prodhuesi për servisimin, si dhe kërkesën që certifikatat e konformitetit të dorëzoheshin që në fazën e ofertimit.

Autoriteti kontraktues i hodhi poshtë të gjitha pretendimet, duke vlerësuar se kriteret ishin në përputhje me objektin e kontratës dhe nuk kufizonin konkurrencën.

Një element tjetër dyshues lidhet me kohën në dispozicion për ankim. Më 16 qershor autoriteti kontraktues njoftoi se nuk do të ndryshonte specifikimet teknike dhe nuk do ta zgjaste afatin për ofertim. Vetëm tre ditë më vonë u refuzua edhe kërkesa për rishqyrtim, ndërsa procedura vazhdoi deri në hapjen e ofertave më 24 qershor.

Në hapjen e ofertave rezultoi se në garë morën pjesë vetëm dy operatorë ekonomikë. N.P.T. Haxhijaha Sh.P.K. nga Rahoveci ofertoi 798,370 euro, rreth 88 mijë euro mbi vlerën e parashikuar të kontratës, ndërsa Burak Sh.P.K. nga Prizreni ofertoi 707,600 euro, duke mbetur brenda vlerës së parashikuar.

Ky fakt merr rëndësi edhe për një arsye tjetër, pasi Haxhijaha ishte operatori që kishte kundërshtuar kriteret e tenderit. Megjithatë, pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtim, kompania nuk e vazhdoi procedurën me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërsa vetëm pak ditë më vonë u hapën ofertat.

KIKS ka kontaktuar kompaninë Haxhijaha për të marrë një shpjegim lidhur me pretendimet e ngritura dhe arsyet pse nuk është ankuar në OSHP, pasi komuna i kishte refuzuar të gjitha pretendimet për kriteret. Përfaqësues të kompanisë kanë premtuar prononcim, por deri në publikimin e këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

KIKS ka kërkuar përgjigje edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), i cili ka konfirmuar se nuk e ka monitoruar këtë aktivitet të prokurimit dhe nuk ka dhënë asnjë opinion lidhur me të.

 

 

Latest news
Related news