Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet E.H., i cili dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”, pas një incidenti me thikë që ndodhi në Rahovec.
Vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 5 korrik, rreth orës 22:30, pranë lokaleve “C.B.” dhe “N.Q.B.” në Rahovec, pas një mosmarrëveshjeje të çastit. I dyshuari dyshohet se ka sulmuar me thikë të dëmtuarin F.M., duke i shkaktuar plagë në pjesë vitale të trupit.
Për shkak të lëndimeve të marra, F.M. fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.
Në të njëjtin incident, sipas Prokurorisë, E.H. dyshohet se ka lënduar edhe një person tjetër, me inicialet E.H., duke e goditur me thikë në këmbën e djathtë. I lënduari ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”.



