Krijimi i institucioneve, Abdixhiku: E domosdoshme të ndërmerren hapa në shërbim të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një takimi me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendi duhet të ecë pa vonesa drejt konstituimit të institucioneve të reja.

Abdixhiku bëri të ditur se në takim u diskutua situata politike në Kosovë pas zgjedhjeve, procesi i certifikimit të rezultateve, si dhe domosdoshmëria e krijimit të institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.

“Respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor. Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i LDK-së transmeton Klankosova.tv.

Ai ka vlerësuar edhe raportin e Riho Terras për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke theksuar se ai nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, raporti përbën një mesazh të qartë për rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe forcimit të shtetit demokratik.

Në përmbyllje të takimit, kreu i LDK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“Partneriteti me institucionet evropiane mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e proceseve demokratike dhe të perspektivës evropiane të vendit”, theksoi ai. / Klankosova.tv

Latest news
Related news