Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara pas numërimit të votave me postë, votave të diasporës dhe atyre me prokurë, Partia Tisza ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke siguruar një shumicë të qartë në parlamentin me 199 vende, raporton portali Indeks.hu.
Partia Tisza ka marrë gjithsej 141 vende parlamentare, prej të cilave 45 mandate nga lista partiake dhe 96 nga zonat zgjedhore direkte.
Udhëheqësi i Tiszës dhe i mandatuari për formimin e qeverisë së re, Péter Magyar, e ka cilësuar rezultatin si historik, duke deklaruar se bëhet fjalë për “një shumicë të paparë dhe një mandat të madh përgjegjësie”.
Në anën tjetër, partia në pushtet deri tani, Fidesz, e udhëhequr nga kryeministri në largim Viktor Orbán, ka fituar 52 vende parlamentare, prej të cilave 42 nga lista dhe 10 nga zonat direkte.
Partia e ekstremit të djathtë Mi Hazánk ka siguruar 6 vende, ndërsa sipas rezultateve të raportuara, asnjë parti minoritare nuk ka arritur përfaqësim në parlament.
Sipas të njëjtit raport, zgjedhjet kishin dhënë sinjale paraprake për një fitore të thellë të Tiszës, e cila më pas është konfirmuar pas përfshirjes së të gjitha votave të mbetura.
Po ashtu raportohet se Orbán e ka uruar partinë fituese dhe se janë diskutuar orientimet e para të qeverisë së ardhshme, përfshirë vazhdimin e politikave aktuale të BE-së ndaj Ukrainës dhe diversifikimin e burimeve energjetike.



