Ushtria e Zvicrës ka nderuar me dekoratë tre ushtarë me origjinë shqiptare, për guxim dhe veprim të shpejtë në shpëtimin e jetës së një gruaje që ishte rrëzuar pranë kazermës.
Të dekoruarit janë: Albin Ukzmaili; Harbin Hasani dhe Edmir Rrafshi.
Sipas njoftimit zyrtar të armatës zvicerane, tre ushtarët ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë gruas në nevojë. Ata u ndërruan me njëri-tjetrin gjatë masazhit të zemrës duke ruajtur ritmin e duhur të ndihmës deri në ardhjen e shërbimeve mjekësore.
“Ushtarët i dhanë ndihmën e parë një gruaje që ishte rrëzuar pranë kazermës. Ata u ndërruan me njëri-tjetrin gjatë masazhit të zemrës dhe njoftuan gjithashtu policinë dhe shërbimet e shpëtimit. Ky veprim i menduar mirë stabilizoi gjendjen e pacientes, e cila më pas u dërgua në spital,” thuhet në njoftimin e ushtrisë zvicerane.
Ky akt human dhe profesionalizmi i lartë i tre ushtarëve me origjinë shqiptare është vlerësuar lart nga autoritetet zvicerane duke shërbyer si shembull frymëzues i përgjegjësisë dhe solidaritetit njerëzor.



