Trump paralajmëron mundësinë e një sulmi të ri ndaj Iranit: Jemi afër një vendimi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se administrata e tij po shqyrton seriozisht mundësinë e rifillimit të operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit, duke lënë të kuptohet se një ndërhyrje e re mund të jetë edhe më e gjerë se sulmet e zhvilluara gjatë “Operacionit Epic Fury”.

Në një deklaratë për Axios, Trump tha se është pranë marrjes së një vendimi, ndërsa theksoi se ushtria amerikane është e gatshme për çdo skenar, transmeton Klankosova.tv.

“Po mendoj për një sulm masiv. Më i madh se çdo tjetër. Jam afër marrjes së një vendimi. Jemi gati”, u shpreh presidenti amerikan.

Megjithatë, ai pranoi se një vendim i tillë do të kishte pasoja të rëndësishme dhe nënvizoi se ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për nisjen e një operacioni të ri ushtarak.

Trump nuk dha ndonjë afat kohor se kur mund të merret vendimi, ndërsa dy zyrtarë amerikanë konfirmuan se deri më tani nuk është lëshuar asnjë urdhër i ri për forcat e armatosura dhe se nuk janë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se Irani vazhdon të shfaqë interes për negociata, por sipas tij, Teherani ende nuk është i gatshëm të arrijë një marrëveshje.

Përshkallëzimi i tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës ka kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi. Pavarësisht retorikës së ashpër, një rikthim në një konflikt të gjerë ushtarak mbetet skenar i papëlqyer nga opinioni publik në Shtetet e Bashkuara.

Latest news
Related news