Trump thotë se ka frikë se Putin `nuk do të ndalë luftën`

Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyy zhvilluan një bisedë ballë për ballë në Vatikan, ku diskutuan mundësinë e një armëpushimi. Pas takimit, presidenti amerikan akuzoi Vladimir Putin, homologun e tij rus, se nuk dëshiron të “ndalojë luftën”.

Shtëpia e Bardhë e përshkroi këtë takim si “shumë produktiv”, ndërsa Zelenskyy e quajti bisedën simbolike dhe me “potencial historik” nëse arrihen rezultate të përbashkëta, shkruan The Guardian. 

Ky ishte takimi i parë mes të dyve pas një incidenti të ftohtë në Shëpinë e Bardhë në shkurt, ku Trump e akuzoi liderin ukrainas për mosmirënjohje për ndihmën amerikane.

Trump më vonë publikoi një postim në rrjetet sociale, ku kritikoi Putin për sulmet me raketa në zona civile. “Nuk kishte arsye për Putin që të gjuante raketa në qytete dhe fshatra. Ky më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron të ndalë luftën,” shkroi Trump në Truth Social.

Në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, SHBA ka angazhuar dërgues të posaçëm për të diskutuar me Rusinë. Trump tha se “shumica e pikave kryesore janë rënë dakord”, duke shtuar se një marrëveshje armëpushimi ishte “shumë e afërt”. Megjithatë, dallimet mbeten të mëdha në lidhje me kushtet për armëpushimin, duke përfshirë pranimin e territoreve të pushtuara nga Rusia, përfshirë Krimenë.

Zelenskyy ka deklaruar se Ukraina nuk do të pranojë humbje territoresh, duke e quajtur Krimenë “pronë të popullit ukrainas”. Po ashtu, mbetet e pasqaruar nëse Moska do ta pranojë marrëveshjen e paqes të propozuar nga SHBA.

Luftimet vazhdojnë, ndërsa Rusia e akuzon Ukrainën për shpërthimin me makinë që vrau një gjeneral të lartë rus pranë Moskës. Ndërkohë, sulmet ruse kanë intensifikuar ndjeshëm, duke goditur Kievin me raketa dhe dronë. Trump ka kërkuar që këto sulme të ndalen dhe të arrihet një marrëveshje paqeje, shkruan gazeta britaneze The Guardian.

Latest news
Related news