Turqia lëshon urdhër-arrest për Netanyahun për krime kundër njerëzimit

Një gjykatë në Stamboll ka lëshuar sot urdhra arresti për 37 persona, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Gaza, si dhe për sulmin ndaj Flotiljes Globale Sumud, e cila transportonte ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë Anadolu, fletarrestimet u lëshuan me kërkesë të Kryeprokurorisë Publike të Stambollit, e cila në deklaratën e saj theksoi se veprimet e Izraelit kanë shkaktuar mijëra viktima, përfshirë gra dhe fëmijë, ndërsa shumë zona civile janë bërë të pabanueshme.

Prokuroria përmendi një sërë ngjarjesh që dëshmojnë, sipas saj, “gjenocidin sistematik” të kryer në Gaza, përfshirë vrasjen e vajzës gjashtëvjeçare Hind Rajab më 29 janar 2024, bombardimin e Spitalit Baptist Al-Ahli më 17 tetor 2023, ku u vranë 500 persona, si dhe sulmin mbi Spitalin e Miqësisë Turko-Palestineze në mars 2025.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se marina izraelite kishte sulmuar në ujëra ndërkombëtare anijet e Flotiljes Globale Sumud, që po dërgonin ndihma humanitare drejt Gazës. Për këtë rast, është hapur një hetim zyrtar mbi veprat penale si “torturë”, “plaçkitje e rëndë”, “dëmtim prone” dhe “privim nga liria”.

Autoritetet turke kanë marrë dëshmitë e viktimave që u dërguan në Turqi pas sulmit dhe iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore e psikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit, raporton Anadolu.

Sipas prokurorisë, provat e mbledhura tregojnë se zyrtarë të lartë të shtetit të Izraelit mbajnë përgjegjësi penale për krimet në Gaza dhe për sulmin ndaj Flotiljes. Përveç Netanyahut, mes personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhra arresti janë edhe ministri i Mbrojtjes Yisrael Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, shefi i shtabit të përgjithshëm Eyal Zamir dhe komandanti i marinës David Saar Salama.

Urdhrat janë lëshuar në bazë të nenit 76 (gjenocid) dhe nenit 77 (krime kundër njerëzimit) të Kodit Penal të Turqisë.

Prokuroria turke ka theksuar se hetimet po vazhdojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe se drejtësia do të kërkohet “pavarësisht pozitës apo funksionit të personave përgjegjës”.

Latest news
Related news