Ushtria izraelite sulmon pranë pallatit presidencial të Sirisë

Forcat ajrore të Izraelit sulmuan pranë pallatit presidencial të Sirisë herët të premten, pasi paralajmëruan autoritetet siriane të mos marshonin drejt fshatrave të banuara nga anëtarë të një sekti minoritar në Sirinë jugore.

Sulmi erdhi pas ditësh përleshjesh midis personave të armatosur të qeverisë dhe luftëtarëve që i përkasin sektit minoritar Druze, pranë Damaskut, ku pati dhjetëra të vdekur e të plagosur.

Sulmi i së premtes ishte i dyti i Izraelit në Siri, këtë javë. Dhe sulmi ndaj një zone afër pallatit presidencial duket se dërgon një paralajmërim të fortë për udhëheqjen e re siriane, e cila përbëhet kryesisht nga grupe islamiste të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham, raporton AP.

Të enjten, udhëheqësi shpirtëror Druze të Sirisë, Sheikh Hikmat Al-Hijri, kritikoi ashpër qeverinë e Sirisë për atë që ai e quajti një “sulm të pajustifikuar gjenocidal” ndaj komunitetit minoritar.

Të premten në mëngjes, udhëheqja fetare Druze tha se komuniteti është pjesë e Sirisë dhe refuzon të shpërngulet nga vendi.

“Ne konfirmojmë angazhimin tonë për një vend që përfshin të gjithë sirianët, një komb pa konflikte”, thuhet në një deklaratë të udhëheqjes fetare Druze.

Në periferi të Damaskut, Jaramana, ku ndodhën luftime në fillim të kësaj jave, forcat e sigurisë u vendosën brenda zonës së bashku me luftëtarë vendas Druze, dhe në një fazë të mëvonshme armët e rënda do t’u dorëzohen autoriteteve. Si pjesë e marrëveshjes, forcat nga Ministria e Mbrojtjes do të vendosen rreth Jaramanës, pa hyrë brenda këtij territori.

Latest news
Related news