Vetëm 18 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të kënaqur me situatën ekonomike, ndërsa 82 për qind shprehin pakënaqësi, sipas një studimi të fundit nga Barometri i BE-së. Kjo pasqyron nivelin e lartë të shqetësimit për papunësinë, inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës në vend, raporton Ekonomia Online.
Profesori universitar i ekonomisë, Medain Hashani, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se pakënaqësia e qytetarëve është pasojë direkte e neglizhencës institucionale për të ndërhyrë me politika të qëndrueshme ekonomike, si dhe e mungesës së mbështetjes për sektorin privat.
“Në momentin që vetëm 18 për qind e qytetarëve janë të kënaqshëm me ekonominë e Kosovës, i bie që 82 për qind nuk janë të kënaqshëm me ekonominë e Kosovës. Ekonomia e Kosovës në nivel të përgjithshëm është mjaft shqetësuese, duke pasur për bazë inflacionin që ka kapluar vendin dhe mos ndërhyrjen e qeverisë në rritjen e pagave si në sektorin publik. Tani për herë të parë ndodh që një qeveri mburret për rritjen e pagave në sektorin privat. Prandaj ndikimi i qeverisë në sektorin privat vetëm se e ka penguar sektorin privat, nuk ka bërë asnjë subvencionim për bizneset dhe tani me situatën e re që është krijuar momentalisht ekonomike, ne do të kemi ende pakënaqësi edhe më të lartë se sa 82 për qind për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve”, deklaroi ai.
Sipas Hashanit, krahasuar me vitin 2020, rritja e pagës mesatare me vetëm 89 euro në vitin 2025 është e pamjaftueshme dhe në asnjë mënyrë nuk e përballon humbjen e fuqisë blerëse.
“Nuk është rritje një pagë nëse merret për bazë nga viti 2020 në vitin 2025, me kaq janë të kënaqshëm që është rritur 89 euro. Kjo është një përqindje mjaft e vogël në raport me inflacionin që është akumuluar nga viti 2020, nga lufta në Ukrainë dhe mos ndërhyrja e qeverisë në subvencionimin e qytetarëve në ndryshimin e politikave fiskale, të cilat do të mbanin stabilitetin fiskal në vend dhe gjithashtu do të mbanin stabilitetin financiar të ekonomive familjare në raport me inflacionin. Sepse 100 euro sot, në krahasim me vitin 2020, aftësia blerëse e 100 eurove sot është sa 35 euro që kanë qenë në vitin 2020. Kjo tregon se çfarë hendeku të lartë është krijuar në mes të aftësisë blerëse të tanishme në raport me paranë”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se edhe kur ka përmirësime në sektorin privat, përfitimi nuk reflektohet realisht te qytetari për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostove.
“Pagat kanë mbetur njëjtë në sektorin publik, bizneset private kanë filluar me lëvizë në rritjen e pagave për shkak të krijimit të një situate të re nga rezultati i liberalizimit të vizave që ka ndodhur, dhe kanë filluar me ndërhyrë në ndryshimin e pagave për të gjithë punonjësit e tyre. Kanë filluar që të krijojnë kushte më të mira të punës dhe kjo është si rezultat i kostos së bizneseve. Mirëpo prapë, çdo rritje e kostos së bizneseve në fund i faturohet qytetarit të Kosovës, sepse qytetari i Kosovës prapë ka me paguar atë rritje të kostove të cilat janë kosto zinxhirore që ndodhin nga nisja e fillimit të prodhimit të një produkti dhe deri në finalizimin e tij. Prandaj të gjitha rritjet e kostove të cilat ndikojnë te një produkt, automatikisht shfaqen te xhepi i qytetarit. Nëse ne nuk kemi lëvizje të pagave dhe jemi në një situatë mjaft të pafavorshme ekonomike, kjo tregon që kemi rezultate të pakënaqshme në nivel të qytetarëve dhe kjo pakënaqësi do të rritet edhe në këtë vit”, përfundoi Hashani.




