Xabi Alonso drejt Chelseat? Mediat britanike e lidhin spanjollin me “Stamford Bridge”

Xabi Alonso mund të rikthehet shpejt në stol dhe destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë Chelsea.

Mediat britanike raportojnë se trajneri spanjoll është shndërruar në favorit për ta marrë drejtimin e klubit londinez.

Sipas “The Guardian”, Alonso ka mbështetjen e lojtarëve të Chelseat dhe bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm ditët e fundit.

Edhe “Sky Sports” raporton se ish-trajneri i Real Madridit po e shqyrton seriozisht ofertën e Chelseat, por kërkon garanci nga drejtuesit për rolin dhe ndikimin e tij në vendimet sportive të klubit.

“The Athletic” dhe mediat angleze shtojnë se Chelsea e sheh Alonson si kandidatin ideal për projektin e ri, ndërsa ai është i hapur për aventurën në Premier League, edhe pse ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Nëse marrëveshja finalizohet, Alonso do të rikthehej në Angli këtë herë si trajner, pas karrierës së tij të lavdishme si futbollist te Liverpool.

Latest news
Related news