ZKA evidenton shkelje të shumta në menaxhimin e parasë publike

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar sot rezultatet e deritanishme të auditimeve për sezonin 2025/2026, duke nxjerrë në pah një varg shkeljesh në institucionet publike, nga prokurimi dhe buxheti, deri te menaxhimi i pronës dhe subvencioneve, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për media, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantuan të gjeturat kryesore, duke theksuar se auditimet vazhdojnë të evidentojnë dobësi të përsëritura në menaxhimin e financave publike.

Sipas Spancës, për sezonin 2025/2026 janë planifikuar 145 auditime, prej të cilave 102 tashmë janë publikuar, derisa deri më 30 qershor pritet të përmbyllen 88 auditime e detyrueshme të rregullsisë dhe 12 të ndërmarrjeve publike, ndërsa pjesa tjetër e auditimeve të Pajtueshmërisë, Performancës, atyre të klasifikuara dhe auditimeve të projekteve të Bankës Botërore pritet të përfundohet sipas planit përgjatë vitit sipas saj, do të finalizohet gjatë vitit.

Sipas saj, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Kosovës pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht të vitit 2026.

Spanca bëri të ditur se nga 94 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, janë dhënë 55 opinione të kualifikuara, 4 të kundërta dhe 35 të pamodifikuara.

Sipas ZKA-së, problemet kryesore lidhen me pasaktësi në raportimin financiar, shkelje në procedurat e prokurimit, si dhe mangësi në menaxhimin e kontratave dhe shpenzimeve publike.

Spanca ka bërë të ditur se në ndërmarrjet publike janë regjistruar 4 opinione të kundërta dhe 5 të kualifikuara.

Në raportin e prezantuar sot, ZKA evidentoi një seri shkeljesh sistematike në nivel qendror dhe lokal. Ndër to: hyrje në obligime pa mbulesë buxhetore, kontraktim i projekteve pa fonde të siguruara, vonesa në realizimin e investimeve kapitale, si dhe mosrespektim i procedurave të prokurimit publik.

Po ashtu, janë evidentuar raste të pagesave me vonesë, angazhime të stafit jashtë procedurave ligjore, si dhe përdorim i mangët i sistemit të e-prokurimit.

Një nga pjesët më të theksuara të raportit i takon Komunës së Prishtinës, ku ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë.

Sipas raportit, janë identifikuar: klasifikim i gabuar i shpenzimeve në 52 raste, në vlerë mbi 7.7 milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 27 milionë euro,  pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe detyrimet financiare.

ZKA ka ngritur gjithashtu shqetësime për një projekt me UNDP-në, ku janë transferuar 5.2 milionë euro parapagim, ndërsa mungon monitorim i plotë institucional dhe transparencë mbi zbatimin e tij.

Raporti evidenton edhe shkelje të shumta në procedurat e prokurimit, përfshirë gabime në vlerësim të ofertave, mospërfshirje të pozicioneve në kontrata dhe devijime në vlerat përfundimtare të projekteve.

Po ashtu, janë konstatuar raste të lidhjes së kontratave pa mbulesë buxhetore dhe fillim i punimeve pa leje të nevojshme ndërtimore në projekte të mëdha infrastrukturore.

Spanca tutje ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, pagesat përmes vendimeve gjyqësore kanë arritur në mbi 45 milionë euro. Po ashtu, janë regjistruar vonesa në pagesa deri në 131 ditë, si dhe mungesë dokumentacioni për ndarjen e saktë të kamatave dhe shpenzimeve përmbarimore.

Në disa raste, tha ajo, subvencionet janë dhënë pa procedura të hapura konkurruese, përfshirë financimin e organizatave joqeveritare, çka sipas Spancës përbën shkelje të rregullave të transparencës dhe barazisë në financim publik.

Në pjesën e auditimeve të performancës, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se janë evidentuar mangësi serioze në disa institucione publike.

Në “Termokos”, raporti flet për shpërndarje të pabarabartë të ngrohjes, sistem të dobët të faturimit dhe mungesë të kapaciteteve rezervë.

Në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), janë evidentuar probleme me sistemin elektronik, mungesë të të dhënave të plota dhe inspektime të parregullta.

Ndërsa në Universitetin e Prishtinës, sistemi SEMS është vlerësuar me mangësi në qeverisjen e TI-së, sigurinë e të dhënave dhe varësinë nga operatorët e jashtëm.

Në fund, ZKA u bëri thirrje institucioneve publike që t’i trajtojnë me seriozitet rekomandimet e auditimit, duke theksuar se ato synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Latest news
Related news