Prokuroria Federale e Zvicrës (BA) ka ngritur aktakuzë ndaj një personi nën dyshimet për përfshirje në aktivitete terroriste.
Sipas raportimit të transmetuesit publik zviceran, SRF, i pandehuri akuzohet se ka qenë përgjegjës për njësinë zvicerane të një organizate terroriste islamike me origjinë nga Kosova.
Sipas Prokurorisë Federale, citon SRF, bashkë me një të akuzuar tjetër, ai dyshohet se ka mbështetur organizatën terroriste të njohur si “Shteti Islamik”, duke përhapur ideologjinë e saj dhe duke rekrutuar sa më shumë besimtarë për kauzën salafiste-xhihadiste.
“Gjithashtu, organizata me bazë kosovare, synon gjithashtu të përfitojë nga destabilizimi i mundshëm i shtetit të Kosovës për të marrë pushtet mbi një zonë të caktuar, përmes dhunës me armë dhe krijimit të një shteti islamik të udhëhequr nga Sheriati në emër të Shtetit Islamik”, citon tutje SRF raportin e Prokurorisë Federale.
SRF nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e personit të akuzuar apo kohën e veprimeve të pretenduara.



