Arrestohen 25 persona për shitje të drogës, tetë të tjerë në kërkim

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka zhvilluar një operacion të koduar “Blloku 33”, ku dje janë arrestuar 25 persona, dhe tetë të tjerë janë në kërkim.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se të dyshuarit janë pjesë e disa grupeve kriminale që shitnin doza të drogave të forta në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

“Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 42 shtetas, pjesëtarë të grupeve që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Ditën e djeshme u ekzekutuan 25 prej tyre (masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, për 24 shtetas, dhe masa e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për 1 shtetas). Si dhe u shpallën kërkim 8 shtetas”, thuhet në njoftim.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 kilogramë e 964 gramë kokainë, 450 gramë heroinë, dy armë zjarri pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash.

Më herët u arrestuan edhe nëntë persona të tjerë, dhe janë sekuestruar 85 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike “cannabis sativa”. /Klankosova.tv

The post Arrestohen 25 persona për shitje të drogës, tetë të tjerë në kërkim appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news