Dogana e Kosovës ka mbikëqyrur procesin e asgjësimit të mbi 6000 maicave, të cilat janë konstatuar se cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti ka filluar më 2 qershor, kur përmes para-deklarimit në Terminalin Doganor në Mitrovicë, importuesi kishte deklaruar mall për zhdoganim pa specifikuar markën tregtare të produkteve, transmeton Klankosova.tv.
Bazuar në analizën e riskut dhe përzgjedhjen për kontroll fizik e dokumentar nga sistemi i menaxhimit të riskut të Doganës së Kosovës, dërgesa është përzgjedhur për ekzaminim të detajuar. Gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë janë identifikuar elemente që ngritën dyshime të bazuara për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në vijim të procedurës, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës ka kontaktuar bartësin e së drejtës, i cili ka konfirmuar se mallrat e paraqitura për zhdoganim përbënin produkte që cenonin të drejtat e mbrojtura të pronësisë intelektuale.
“Në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-015 për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, duke ndaluar lirimin e mallit, duke inicuar procedurën e kundërvajtjes doganore ndaj importuesit dhe procedurën për asgjësimin e mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale”, thuhet në njoftim.
Ndërsa më 8 korrik, malli është asgjësuar nën mbikëqyrje të Doganës, në përputhje me procedurat dhe standardet ligjore në fuqi, duke garantuar që produktet të mos qarkullojnë në tregun e Kosovës.
“Veprimet janë ndërmarrë në zbatim të Ligjit Nr. 06/L-015 për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, si dhe dispozitave përkatëse të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (Ligji Nr. 08/L-247). Rasti është proceduar si kundërvajtje doganore për shkak të dyshimit për shkelje të dispozitave të nenit 32, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 të Ligjit Nr. 06/L-015”.



