Një tjetër talent i futbollit kosovar ka fituar vëmendjen e një prej klubeve më të mëdha në botë. Lisian Thaçi ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi është bërë pjesë e programit “FC Bayern Global Academy”, platformës ndërkombëtare të Bayern Munichut për zhvillimin e futbollistëve të rinj me potencial të lartë.
Lajmi për transferimin e tij është përshëndetur edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili e cilësoi këtë si një tjetër dëshmi se talentet kosovare po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e klubeve elitare evropiane.
“Talenti, por edhe puna e mirë, gjithmonë shpërblehen. Kjo po dëshmohet edhe në Kosovë, ku puna e vazhdueshme në zhvillimin e futbollistëve të rinj ka bërë që klubet e mëdha evropiane të vijnë me kampe të ndryshme, ndërsa skautët dhe trajnerët e tyre të jenë vazhdimisht në kërkim të talenteve të reja”, ka deklaruar Ademi.
Sipas tij, Lisian Thaçi tashmë është pjesë e Bayern Munichut dhe do të vazhdojë zhvillimin e tij në një nga programet më prestigjioze të klubit bavarez, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në karrierën e futbollistit të ri.
Ademi rikujtoi se Bayern Munich ka investuar edhe më parë në zhvillimin e futbollistëve me prejardhje nga Kosova, duke përmendur emra si Erblin Osmani dhe Ylli Gashi.
“Bayern-i edhe më herët ka vlerësuar dhe zhvilluar talente me origjinë nga Kosova si Erblin Osmani dhe Ylli Gashi, ndërsa tash radha është e Lisianit”, u shpreh ai.
Në fund, kreu i FFK-së i uroi sukses Thaçit në sfidën e re, duke vlerësuar edhe punën e atyre që kanë ndikuar në zhvillimin e tij si futbollist.
“I uroj shumë suksese anëtarit të Kombëtares së Kosovës në grupmoshat e reja, në këtë rrugëtim të ri dhe të rëndësishëm. I lumtë Shkollës së Futbollit Peja dhe të gjithë trajnerëve që kanë kontribuar në formimin e tij”, përfundoi Ademi.



