KEK reagon ndaj raportimeve për tregtimin e tepricave të energjisë: Interpretimet për rolin e kryeshefit janë të pabazuara

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara fillimisht nga “Buletini Ekonomik” e më pas të transmetuara edhe nga media të tjera, lidhur me procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike, duke i cilësuar ato si të mbështetura në “deklarime emocionale, interpretime të pjesshme dhe pretendime të pabazuara”.

Në reagimin e saj, KEK thekson se publikimet e tilla po dëmtojnë procesin institucional të zbardhjes së rastit, ndërsa rikujton se çështja është objekt i një procedure të brendshme disiplinore.

“Publikimi i artikullit nga ‘Buletini Ekonomik’, i marrë më pas edhe nga disa media të tjera, po dëmton procesin institucional të zbardhjes së rastit, duke u mbështetur në deklarime emocionale, interpretime të pjesshme dhe pretendime të pabazuara. Për më tepër, deklarimet e paautorizuara, e aq më tepër të pabazuara, për çështje që janë objekt i procedurës së brendshme disiplinore, përbëjnë shkelje të detyrave dhe përgjegjësive të punës”, thuhet në reagim.

KEK sqaron se procesi i tregtimit të energjisë elektrike zhvillohet sipas një procedure të brendshme dhe nuk varet nga vendimet individuale të zyrtarëve jashtë kompetencave të përcaktuara.

“Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. sqaron se procesi i tregtimit të energjisë elektrike në Korporatë nuk zhvillohet në mënyrë arbitrare dhe nuk varet nga vullneti individual i asnjë zyrtari jashtë përgjegjësive të përcaktuara. Ky proces është i rregulluar qartë me akt të brendshëm, përkatësisht me ‘Procedurën për tregtimin e energjisë elektrike’, nr. 8071/1, e cila përcakton detyrat, përgjegjësitë dhe rrjedhën institucionale të këtij procesi”, thuhet më tej.

Sipas KEK-ut, procedura përcakton qartë zinxhirin e përgjegjësive, ku personi i autorizuar për tregtim zhvillon procesin, ndërsa drejtori i njësisë së tregtimit vendos për miratimin ose refuzimin e transaksioneve.

“Pra, akti i brendshëm i KEK-ut e përcakton qartë zinxhirin e përgjegjësisë: procesi zhvillohet nga personi i autorizuar për tregtim, ndërsa aprovimi ose refuzimi bëhet nga drejtori i njësisë përkatëse. Kryeshefi Ekzekutiv nuk është pjesë e kësaj faze operative, nuk ka rol aprovues në këtë procedurë dhe në asnjë formë nuk miraton, konfirmon apo ndikon në shitjen apo blerjen afatshkurtër të energjisë elektrike”, thekson reagimi.

KEK shton se çdo përpjekje për ta lidhur kryeshefin ekzekutiv me përgjegjësi operative vetëm për shkak të përfshirjes në komunikime elektronike informuese është interpretim i pasaktë.

“Për këtë arsye, çdo tentim për ta barazuar përfshirjen në komunikime elektronike informuese, veçanërisht pas përfundimit të procesit, me miratim, ndikim apo përgjegjësi operative të Kryeshefit Ekzekutiv është interpretim i pasaktë, i pabazuar dhe profesionalisht i paqëndrueshëm”, thuhet në reagim.

Korporata thekson gjithashtu se gjatë vitit 2024 ka ndërmarrë masa për forcimin e kontrollit dhe sigurisë së procesit të tregtimit, duke krijuar një lokacion të veçantë të pajisur me kamera mbikëqyrëse, gjë që sipas saj është evidentuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025.

Në reagim bëhet e ditur se dy zyrtarë janë larguar përkohësisht nga puna deri në përfundimin e procedurave disiplinore dhe se rasti është adresuar edhe tek autoritetet kompetente.

“KEK konfirmon se ndaj dy zyrtarëve janë marrë masa të përkohshme të largimit nga puna, deri në zhvillimin dhe përfundimin e procedurave disiplinore. Ky vendim është marrë në përputhje me aktet e brendshme të Korporatës dhe duke u bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me qëllim të trajtimit të plotë, të paanshëm dhe institucional të çështjes”, thuhet në reagim.

Latest news
Related news