Boksieri shqiptar Drilon Rama ka vazhduar me sukses rrugëtimin e tij në boksin profesionist, duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi dhe duke mbajtur rekordin perfekt në karrierë.
Fituesi i Big Brother VIP Kosova lll u përball me çekun Jan Marsalek në Porsche Arena të Stuttgartit, ku tregoi dominim që nga fillimi i duelit dhe nuk i dha shumë mundësi kundërshtarit për të reaguar.
Pas një paraqitjeje të fuqishme, boksieri shqiptar e mbylli meçin në raundin e tretë, ku gjyqtari u detyrua ta ndërpresë përballjen në minutën 2:36, duke i dhënë fitoren Ramës me nokaut teknik.
Ai poashtu përmes një instatory ka shprehur falënderim për të gjithë që kanë qenë prezent dhe në mbështetje të tij në këtë meç
Faleminderit krejtve që ishit dje edhe m’keni përkrah. Faleminderit edhe për krejt urimet e mesazhet. Kom me u mundu me ju kthy shumices. Nëse dikujt s’muj me i kthy, mos ma merrni për t’keq. Meçi i ardhshëm ka me kon për titullin tem të parë. Ka me kon sfida ma e madhe edhe ma e forta deri tash. Me menzi pe pres”, ka shkruar Rama.
Me këtë triumf, Drilon Rama vazhdon të mbetet i pamposhtur në boksin profesionist, me shtatë fitore në shtatë ndeshje të zhvilluara.
Fitorja ndaj Marsalekut është një tjetër hap i rëndësishëm për boksierin shqiptar, i cili po vazhdon ngritjen drejt niveleve më të larta të këtij sporti.




