Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë publike vendimet e marra nga Bordi në mbledhjen e zhvilluar më 15 korrik 2026, ku ndër pikat kryesore ishte edhe caktimi i datave zyrtare për nisjen e sezonit të ri garues.
Sipas vendimeve të Bordit të FBK-së, Superkupa e Kosovës në konkurrencën e meshkujve do të zhvillohet më 15 shtator 2026, duke shënuar hapjen tradicionale të edicionit të ri, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq, vetëm pak ditë më vonë, më 19 dhe 20 shtator 2026, do të nisë edhe sezoni i ri në ProCredit Superligën e Kosovës.
Në anën tjetër, është konfirmuar edhe kalendari për konkurrencën e femrave.
Superkupa e Kosovës për femra është planifikuar të zhvillohet më 23 shtator 2026, ndërsa kampionati i ri në Superligën e Femrave do të fillojë më 26 dhe 27 shtator 2026.
Me publikimin e këtyre datave, Federata e Basketbollit e Kosovës ka nisur zyrtarisht përgatitjet organizative për edicionin e ri, ndërsa klubet tashmë kanë të qartë kalendarin fillestar të garave për sezonin 2026/27.



