Grupi militant palestinez Hamas ka njoftuar të hënën se ka shpërbërë administratën e tij në Gaza.
Sipas njoftimit, ky grup ka thënë se po përgatitet t’ia dorëzojë drejtimin një komiteti teknik të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Hamasi nuk ka sqaruar nëse planifikon të ndërmarrë hapin e rëndësishëm të çarmatimit ose t’ia kalojë përgjegjësinë për sigurinë një force ndërkombëtare.
Megjithatë, nga ky grup është thënë se ky vendim tregon angazhimin e tij për rindërtimin e Gazës pas viteve të luftës, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Në një konferencë për media të hënën, Ismail Al-Thawabta, drejtori i Përgjithshëm i Zyrës për Media të administruar nga Hamasi, ka deklaruar se stafi teknik dhe profesional do të vazhdojë punën në institucionet publike, për të siguruar funksionimin e përditshëm të Gazës.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara dhe relevante që të përshpejtojnë menjëherë hapat që Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) të hyjë shpejt dhe të marrë përsipër detyrat dhe përgjegjësitë e tij kombëtare dhe administrative, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së popullit tonë fisnik palestinez dhe shërimin e plagëve të tyre”, ka thënë al-Thwabta në një deklaratë në Spitalin e Martirëve Al-Aksa në Qytetin e Gazës.
Bordi i Paqes, i krijuar nga administrata Trump për të monitoruar zbatimin e planit, ka thënë se e ka marrë parasysh vendimin e Hamasit.
Në një deklaratë në X, bordi i ka bërë thirrje Hamasit të çarmatoset, duke thënë: “Parimi thelbësor mbetet një autoritet, një ligj dhe një armë”. /Klankosova.tv



