Një turmë e zemëruar i vuri flakën një ndërtese të parlamentit lokal në kryeqytetin e një province indoneziane, duke lënë të paktën tre persona të vdekur dhe pesë të tjerë të shtruar në spital, thanë zyrtarët.
Zjarri në Makassar, kryeqyteti i provincës South Sulawesi, shpërtheu të premten mbrëma. Raportimet televizive treguan ndërtesën e këshillit provincial duke u përfshirë nga flakët gjatë natës.
Ekipet e shpëtimit nxorën tre trupa mëngjesin e së shtunës, ndërsa pesë persona u shtruan në spital me djegie ose me kocka të thyera pasi kishin kërcyer nga ndërtesa, tha Fadli Tahar, një zyrtar lokal i emergjencave, raporton AP.
Protestuesit në qytetin Bandung të West Java-s gjithashtu i vunë flakën një parlamenti rajonal të premten, por nuk u raportua për viktima. Në Surabaya, qyteti i dytë më i madh i Indonezisë, protestuesit sulmuan selinë e policisë rajonale, pasi shkatërruan gardhe dhe dogjën automjete. Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji, por demonstruesit u kundërpërgjigjën me fishekzjarre dhe shkopinj druri.
Ambasadat e huaja në Xhakartë, përfshirë ato të SHBA-së, Australisë dhe vendeve të Azisë Juglindore, këshilluan qytetarët e tyre në Indonezi të shmangin zonat e demonstratave ose grumbullimet e mëdha publike.



