Këto janë gjërat më të çuditshme që prishin Wi-Fi-në

Këto janë gjërat më të çuditshme që prishin Wi-Fi-në

Nëse lidhja juaj Wi-Fi nuk funksionon siç duhet, problemi mund të mos jetë gjithmonë te ofruesi i internetit.

Ekspertët thonë se edhe pajisjet dhe objektet e zakonshme në shtëpi mund të ndikojnë në cilësinë e sinjalit.

Alex Hills, një nga pionierët e teknologjisë Wi-Fi dhe drejtues i një prej rrjeteve të para të mëdha pa tela në vitin 1993 në Universitetin Carnegie Mellon, i quan këto pengesa “djemtë e këqij të radios”.

Në librin e tij ai shpjegon se shumë faktorë të përditshëm mund të dobësojnë ose bllokojnë sinjalin, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Një ndër shkaktarët më të njohur janë furrat me mikrovalë, ato përdorin të njëjtën frekuencë 2.4 GHz që përdoret edhe nga shumë rrjete Wi-Fi dhe pajisje Bluetooth.

Nëse mikrovala është e vjetër ose e dëmtuar, mund të shkaktojë ndërhyrje në sinjal.

Edhe akuariumet mund të krijojnë problem, uji thith valët e radios, ndaj një akuarium i vendosur mes ruterit dhe pajisjes suaj mund të krijojë zona pa sinjal.

Po ashtu, muret prej betoni ose tullash, pasqyrat e mëdha, televizorët dhe sipërfaqet metalike mund të reflektojnë ose bllokojnë valët e Wi-Fi-t, duke ulur ndjeshëm performancën e rrjetit.

Ekspertët rekomandojnë që ruteri të vendoset në një pozicion qendror dhe sa më lart në shtëpi, ndërsa nëse sinjali mbetet i dobët mund të përdoren zgjerues të Wi-Fi-t ose sisteme mesh për mbulim më të mirë.

Edhe kushtet ekstreme të motit mund të ndikojnë në internet, veçanërisht te lidhjet satelitore. Reshjet e dendura të borës, temperaturat shumë të ulëta apo nxehtësia ekstreme mund të dëmtojnë infrastrukturën ose të bllokojnë sinjalin.

Sipas Hills, njohja e këtyre faktorëve mund t’i ndihmojë përdoruesit të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e lidhjes së tyre pa pasur nevojë të ndërrojnë ofruesin e internetit.

Latest news
Related news