Kosovare Asllani vazhdon edhe për një vit “misionin” në Londër

Një kapitull i ri në historinë e saj angleze do të vazhdojë të shkruhet nga këmbët e Kosovare Asllanit.

Edhe pse aktualisht po përballet me një lëndim serioz, përvoja dhe klasi i saj mbeten pjesë e planeve të mëdha të London City Lionesses, që i ka besuar kapitenes së saj deri në verën e vitit 2027.

Klubi londinez ka bërë të ditur të martën se ka rinovuar kontratën me futbollisten 36-vjeçare, duke konfirmuar vazhdimësinë e bashkëpunimit me një nga emrat më të njohur të futbollit evropian.

Asllani, e cila iu bashkua London City Lionesses në vitin 2024, pati një rol të rëndësishëm në suksesin e skuadrës.

Ajo ndihmoi ekipin të siguronte promovimin në elitën e futbollit anglez dhe më pas të konkurronte me sukses në nivelin më të lartë, ku London City e mbylli sezonin në pozitën e gjashtë.

Kapitenia kosovare aktualisht është duke u rikuperuar nga lëndimi, por pritet të rikthehet në fushë gjatë edicionit të ardhshëm për të udhëhequr skuadrën në objektivat e saj të reja.

Asllani mbetet njëra prej futbollisteve më të suksesshme të gjeneratës së saj. Me kombëtaren e Suedisë ka zhvilluar 209 paraqitje, ndërsa gjatë karrierës së saj ka mbrojtur ngjyrat e klubeve të mëdha si Milan, Real Madrid, Manchester City dhe Paris Saint-Germain.

Ajo vazhdon të jetë kapitene e London City Lionesses dhe e përfaqësueses suedeze, ndërsa klubi londinez këtë verë ka bërë edhe një lëvizje të madhe në merkato, duke transferuar yllin spanjoll dhe njëherësh ish-futbollisten më të mirë në botë, Alexia Putellas.

Me këtë përforcim dhe me rikthimin e Asllanit, London City synon të luftojë për objektiva edhe më të mëdha, përfshirë titullin kampion në edicionin e ardhshëm.

Latest news
Related news