Bajraktari: Kërkesa e Thaçit për lirim me kusht është e bazuar

Në një fazë kur procesi gjyqësor ka hyrë në një etapë të re pas përfundimit të administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, mbrojtja e Hashim Thaçit po kërkon që gjykata të marrë një vendim të bazuar në parimin e trajtimit të barabartë.

Avokati Ardian Bajraktari ka argumentuar se kërkesa për lirimin me kusht të ish-presidentit, e shoqëruar me garanci prej 50 mijë eurosh dhe zotimin për respektimin e çdo kushti të mundshëm të gjykatës, plotëson kriteret ligjore dhe nuk duhet të trajtohet ndryshe nga kërkesat e bashkakuzuarve të tjerë.

Bajraktari ka thënë se në këtë fazë të procedurës sfida kryesore për gjykatën nuk është nëse ekziston baza ligjore për lirimin me kusht, por nëse do të respektohen standardet e njëjta për të gjithë të akuzuarit.

“Kërkesa e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi për lirim me kusht, e shoqëruar me garanci prej 50 mijë eurosh dhe me zotimin për respektimin e çdo kushti që mund të caktojë gjykata, është jo vetëm legjitime, por edhe juridikisht e bazuar. Në këtë fazë të procedurës, sfida kryesore për gjyqtaren dhe gjykatën nuk është nëse ekziston baza ligjore për lirimin me kusht, por nëse vendimmarrja do të respektojë parimin e barazisë para ligjit dhe konsistencën në zbatimin e standardeve gjyqësore”, ka deklaruar Bajraktari transmeton Klankosova.tv.

Avokati ka theksuar se për bashkakuzuarit e tjerë në të njëjtin proces janë aprovuar më herët kërkesa të ngjashme për lirim me kusht. Sipas tij, një vendim i ndryshëm për Thaçin do të kërkonte një arsyetim të bazuar në rrethana konkrete dhe të reja.

“Për të bashkakuzuarit tjerë në të njëjtin proces, janë aprovuar tashmë kërkesa të ngjashme për lirim me kusht. Për rrjedhojë, çdo vendim ndryshe ndaj z. Thaçi do të duhej të mbështetej në rrethana të reja, konkrete dhe bindëse, e jo në aplikimin e standardeve të ndryshme për persona që ndodhen në të njëjtën pozitë procedurale”, ka thënë ai.

Sipas mbrojtjes, përfundimi i fazës së provave ka zvogëluar ndjeshëm mundësinë e ndikimit në proces. Bajraktari ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë rrethanat që do të justifikonin vazhdimin e paraburgimit vetëm ndaj Thaçit.

“Administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve kanë përfunduar, duke reduktuar ndjeshëm çdo pretendim për rrezik të ndikimit në proces. Për më tepër, Trupi Gjykues ka vlerësuar edhe më herët se nuk ekziston rreziku i arratisjes në rastin e katër drejtuesve të UÇK-së. Në këto rrethana, bëhet edhe më e vështirë të gjendet një bazë objektive që do të justifikonte vazhdimin e paraburgimit vetëm për njërin prej tyre”, ka deklaruar avokati.

Në fund, Bajraktari ka vënë theksin te rëndësia e mënyrës se si gjykata ndërton besimin në drejtësi, duke argumentuar se zbatimi i standardeve të njëjta është pjesë thelbësore e barazisë para ligjit.

“Besueshmëria e drejtësisë nuk matet vetëm nga vendimet që merr, por edhe nga mënyra se si i merr ato. Zbatimi i të njëjtave standarde në rrethana të njëjta është kusht themelor i barazisë para ligjit”, përfundon avokati Bajraktari transmeton Klankosova.tv.

Nëse kërkesa për lirim me kusht miratohet dhe në shtator merret një vendim lirues, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, do të mund të kthehen në Kosovë, sipas kushteve që mund të përcaktojë gjykata.

Latest news
Related news