“S’ka shampon, s’ka letër tualeti, s’mbyllen dyert”, Uka shpërthen ndaj gjendjes në QKUK (VIDEO)

Pas reagimit të qytetares, Aulonë Mehmeti për kushtet në Klinikën e Pediatrisë, në QKUK është formuar një komision hetimor dhe marrë masa ndaj disa punëtorëve.

Ndërkohë shqetësime të tjera vazhdojnë edhe në Klinikën Infektive për mungesë investimesh e kushte bazike, si dhe në Spitalin e Mitrovicës, për mungesë infuzionesh, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me këtë, gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka tha se së fundmi po haset në një problem të ri, e që sipas saj është fakti që sado që bëhet raportim mbi një telash, askujt nuk i bën përshtypje.

“Jemi në një stad më të keq shtetëror të funksionimit. Sepse në të kaluarën pavarësisht se gjërat nuk kanë funksionuar, dikush dikur u alarmua prej ndonjë raportimi. Madje mua më thuhet edhe jozyrtarisht nga udhëheqës që kanë funksione të larta në QKUK, ‘ani Arbreshë mirë që po e bën atë storie, se mbase bëhet ndonjë telefonatë e lëvizin gjërat’”, u shpreh Uka në emisionin “Kosova Today”.

Ndërsa sa i përket gjendjes në Pediatri të QKUK-së dhe ankesës së Mehmetit, Uka thotë se të njëjta ka pasur ndër vite.

“Ankesa si Aulona për gjendjen në Pediatri ka pasur ndër vite, edhe në rrjetet sociale, edhe neve që na kanë dërguar. Mua më vjen shumë mirë që Aulona ka arritur me bë impakt dhe jehonë të raportimit të saj si qytetare”, tha gazetarja në Klan Kosova.

Si gazetare e shëndetësisë, Uka e quajti të papranueshme edhe formimin e komisionit hetimor.

“Nuk mundet me u formu një komision që me vërtetu që nuk ka shampon në banjo, që nuk ka letër tualeti, që dyert nuk mbyllen. Ajo gjendje është faktike jo veç në këtë qeverisje, por në të gjitha qeverisjet, dhe e them me përgjegjësi të plotë. Por problemi është standardi i qeverisë aktuale, janë rritë shumë me premtime, dhe qytetarët e raportojnë dyfish më shumë problem, dhe kanë pritë së paku shampon me pas nëpër banjo”, u shpreh Uka.

Latest news
Related news