Autoritetet policore në Atlanta kanë njoftuar se do të zbatojnë masa të shtuara sigurie për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës, e cila zhvillohet të mërkurën.
Policia e Atlantës bëri të ditur se janë angazhuar personel dhe burime shtesë në stadium, zonat e argëtimit dhe hapësirat me fluks të madh vizitorësh, me qëllim garantimin e sigurisë gjatë këtij eventi të rëndësishëm sportive, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Masat janë marrë edhe për shkak të rivalitetit historik mes dy vendeve, i cili lidhet me Luftën e Falklandit të vitit 1982.
Policia amerikane theksuan se synimi është parandalimi i incidenteve dhe krijimi i një atmosfere të sigurt për tifozët dhe vizitorët.
Ndërkohë, pas fitores 3:2 të Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales, disa lojtarë argjentinas u filmuan duke kënduar një këngë që përmendte Ishujt Falkland, si dhe legjendat Diego Maradona dhe Lionel Messi.
Në prag të sfidës, Federata e Veteranëve Argjentinas të Luftës u bëri thirrje tifozëve që të ndajnë sportin nga politika dhe të fokusohen vetëm te futbolli.
Edhe portieri i Anglisë, Jordan Pickford, u shpreh se kjo përballje duhet parë vetëm si një ndeshje futbolli, duke theksuar se “futbolli do të flasë në fushë”.
Policia britanike, ndërkohë, ka lavdëruar sjelljen e tifozëve anglezë në Shtetet e Bashkuara, por u ka bërë thirrje tifozëve në Angli të tregojnë të njëjtën sjellje, pasi fundjavën e kaluar u regjistruan mbi 500 incidente të lidhura me futbollin dhe më shumë se 100 persona u arrestuan pas ndeshjes Angli–Norvegji.



