Kush favorit për titull, e kush për rënie nga Superliga – një pasqyrë nga Flugaj

Drita hyn si kampione. Drenica dhe Prishtina e Re janë risia e sezonit 2025/26.

Llapi feston mundësinë e re. Ballkanin synon kthimin në majë. Prishtina përherë me aspiratat më të larta, por jo gjithmonë me epilogun e dashur. Ashtu dhe Gjilani.  Malisheva, Dukagjini dhe Ferizaj mbeten tregime më pak të parashikueshme, sepse mund të shkojnë në dy ekstrem…o Evropë, o rënie.

Por si e mendon komentatori dhe gazetari Arbon Flugaj? Me të ecim fillimisht në javët e para të merkatos, dhe aktivitetin e klubeve kosovare në treg teksa mëtojnë të përforcohen për sezonin 2025-26.

Pavarësisht parashikimeve, ajo që e bën interesant kampionatin është pikërisht paparashikueshmëria, dhe kjo ia jep një përvojë ngjethëse e përplot emocione Flugajt në kolltukun e komentatorit.

Anash kampionatit vendor, Flugan na flet edhe për pritjet dhe parashikimet e tij për sa u përket performancave të klubeve tona në Evropë.

“Këtë vit duket që nuk do kemi ekip prapa të tjerëve sa i përket përgatitjeve për sezonin e ri, pasi të gjitha ekipet e Superligës veçse kanë filluar me planifikimin e ekipit dhe stërvitjet. Merkato interesante ka bërë secili ekip, por mendoj që Gjilani ka qenë më aktivi deri tani, ndoshta edhe për shkak se e ndiejnë që sezonin e kaluar kanë arritur shumë më pak se sa që kanë qenë pritshmëritë”, thotë Flugaj për Klankosova.tv.

Në vizionin e tij, Drita del e favorizuar për të mbrojtur titullin, mirëpo ai nuk e lë anash Ballkanin, klubin më të suksesshëm të viteve të fundit.

“Favorit kryesor për titull pres të jetë përsëri Drita, kjo edhe pasi do ketë një verë të gjatë në Evropë dhe rrjedhimisht besoj në fillimin e sezonit do e ketë arritur atë formën optimale. E mbaj mend Ballkanin në sezonin e tyre të parë në Evropë, kur në kampionat 10 ndeshjet e para i kalonin aq lehtë sa dukeshin edhe si miqësore. Të paktën në start pres dominim të njejtë edhe nga Drita. Ballkani besoj poashtu që do ketë gjasa të mëdha të luftoj për titull, kurse dy vendet e tjera për Evropë për mendimin tim mbeten të hapura dhe mund të ketë surpriza”.

Arbon Flugaj, gazetar sportiv & komentator

Luftë e madhe pritet të ngjajë edhe në pjesën e dytë të tabelës, por padyshim janë klubet e sapofutura në ligë ato që në letër duket të kenë punë më të zorshme mbetjen në ligë.

“Sa i përket rënies nga Superliga, këtë sezon pritet të jetë ‘hallakamë’ e vërtet sepse realisht të 10-të ekipet kanë cilësi  dhe organizim të mirë. Personalisht do doja që të ketë ndryshim të formatit të garave dhe të rritet Superliga ndoshta me dy ose katër skuadra më tepër, pasi ka ekipe në këto vitet e fundit që kanë merituar të jenë pjesë e elitës dhe për mungesë fati ose arsye të tjera kanë rënë nga liga e pastaj kanë hasur në probleme të mëdha, duke iu “shkatërruar” komplet projekti. Për të mos i ikur pyetjes, pres që pak më të rrezikuara të jenë ekipet e inkuadruara këtë sezon”.

Interesante është natyrisht performanca e klubeve kosovare në arenën evropiane. Kampioni në fuqi, Drita, do të synojë fillimisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, por Flugaj e sheh pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, e treta për nga pesha, si mundësinë më të afërt të gjigantit gjilanas.

“Pjesmarrja në Conference League duket shumë e arritshme për Dritën, por unë realisht besoj që ata do arrijnë edhe më shumë dhe do jenë në fazën e ligës të Europa Ligës. Ballkani do i ketë shancet e veta, Prishtina nuk besoj që do eliminohet pa marrë të paktën një ose dy fitore, kurse Malisheva do e ketë më vështiri sepse kundërshtarët e tyre, Vikinguri janë ekip që vazhdimisht shkaktojnë probleme në kualifikime. Përndryshe, vitin e ardhshëm nuk do kemi ekip në Europa Ligë për shkak të performancës së dobët të ekipeve tona në verën e kaluar dhe shpresoj që do marrim sa më shumë rezultate pozitive në mënyrë që ta ngrisim koeficientin për ta rikthyer vendin plus në kualifikime të Europa Ligë që besoj se e meritojmë”.

The post Kush favorit për titull, e kush për rënie nga Superliga – një pasqyrë nga Flugaj appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news