Malisheva shumë e fortë për Vllazninë, kalon tutje në UEFA Conference League

Malisheva ka dhuruar një mbrëmje të paharrueshme evropiane, duke përmbysur disavantazhin nga ndeshja e parë dhe duke e mposhtur bindshëm Vllazninë e Shkodrës me rezultat 5:0, rezultat që i siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Nënkampionia e Kosovës zhvilloi një paraqitje dominuese në “Kampin Nacional” në Hajvali, ku skuadra e drejtuar nga Thomas Brdarić nuk i la asnjë mundësi kundërshtarit, duke përmbysur humbjen 2:1 të pësuar në takimin e parë në Shkodër dhe duke triumfuar me rezultat të përgjithshëm 6:2.

Malisheva e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe krijoi disa raste të mira, derisa epërsia erdhi në minutën e 24-të. Kreshnik Uka realizoi për 1-0 pas asistimit të Arlind Veliut, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2:2.

Në kohën shtesë të pjesës së parë, në minutën e 47-të, Xhemajl Ibishi shënoi golin e dytë për vendasit pas asistimit të Vusal Isgandarlit, duke i dërguar ekipet në pushim me epërsinë 2-0 të Malishevës.

Edhe pjesa e dytë nisi në mënyrë perfekte për skuadrën kosovare. Vetëm shtatë minuta pas rifillimit të lojës, Kreshnik Uka realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Malishevën, duke e afruar edhe më shumë ekipin me kualifikimin.

Në minutën e 57-të, Arlind Veliu vulosi praktikisht fatin e përballjes me golin për 4:0, ndërsa në minutën e 90-të Krenar Dulaj vendosi rezultatin përfundimtar 5:0, duke kurorëzuar një mbrëmje fantastike për skuadrën nga Kosova.

Me këtë fitore të thellë, Malisheva siguroi një vend në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me skuadrën skoceze Hibernian.

Latest news
Related news