Pas gjashtë ditësh nën rrënoja, shpëtohet i gjallë një fëmijë në Venezuelë

Ekipet jordaneze të shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat një fëmijë që kishte mbetur i bllokuar për gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën javën e kaluar, kanë njoftuar autoritetet venezueliane.

Numri i viktimave nga tërmetet ka arritur në 1,943, ndërsa të lënduarit janë rritur në 10,571, bëri të ditur presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez.

Sipas autoriteteve, ekipet jordaneze shpëtuan Klieber Moran nga rrënojat e një ndërtese në zonën Los Corales Garden 1 në La Guaira, ku ai kishte mbetur i bllokuar për gjashtë ditë. Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, njoftoi përmes Telegramit se fëmija u dërgua menjëherë për trajtim mjekësor.

Venezuela u godit të mërkurën e kaluar nga dy tërmete me magnitudë 7.2 dhe 7.5, me vetëm një minutë diferencë, duke shkaktuar shembjen e shumë ndërtesave dhe duke lënë mijëra persona të bllokuar nën rrënoja, shkruan Index, transmeton Klankosova.tv.

Delcy Rodriguez e përshkroi Klieber Moran si trevjeçar, ndërsa Jorge Rodriguez tha se ai është dyvjeçar.

“Duhet ta mbajmë gjallë shpresën se do të vazhdojmë të gjejmë njerëz të mbijetuar nën rrënoja,” deklaroi Jorge Rodriguez në një fjalim televiziv. “Në orët e para të mëngjesit u shpëtua një fëmijë dyvjeçar, i cili tani po merr trajtim në një qendër shëndetësore në Karakas.”

Ndërkohë, UNICEF-i dërgoi të martën në Venezuelë 47 tonë ndihma humanitare. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se furnizimet do të ndihmojnë fëmijët dhe familjet në nevojë.

Ngarkesa përfshin komplete të ndihmës së parë, pajisje për lindje të sigurta, kujdes për të porsalindurit, si dhe materiale për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve.

Latest news
Related news