Prishtina e Re merr tri pikë në tavolinë për përballjen me Drenicën

Komisioni i Garave i Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21 ka marrë disa vendime pas mbledhjes së mbajtur më 11 nëntor 2025, lidhur me regjistrimin e ndeshjeve të javës së fundit në kampionatet përkatëse.

Pas shqyrtimit të plotë të materialeve zyrtare nga ndeshjet e xhiros së 13-të të Albi Mall Superligës, xhiros së 16-të të Raiffeisen Ligës së Parë dhe xhiros së 10-të të Superligës U21, Komisioni ka vendosur që të gjitha ndeshjet të regjistrohen me rezultatet e arritura në fushë — me përjashtim të ndeshjes Prishtina e Re – Drenica, e cila është regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Prishtinës së Re.

Kjo ndeshje ishte mbyllur me rezultat të barabartë 0-0, duke bërë që dy skuadrat të marrin nga një pikë.

Ky vendim vjen pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga KF Prishtina e Re, që kishte pretenduar se Drenica kishte aktivizuar në mënyrë të parregullt lojtarin Altin Vojvoda, duke theksuar se ai nuk kishte figuruar në protokollin zyrtar të ndeshjes në sistemin MyFFK.

Megjithatë, pas verifikimeve nga vetë Komisioni i Garave, është konstatuar se: Lojtari Altin Vojvoda (ID: 5002365) figuron i regjistruar për klubin FC Drenica në edicionin garues 2025/2026 në sistemin zyrtar të FFK-së. Në protokollin zyrtar të ndeshjes në sistemin MyFFK, Vojvoda është i evidentuar në listën e lojtarëve të Drenicës me fanellën numër 11.

Pavarësisht kësaj, ndeshja është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0 për shkak të mospërputhjeve në zbatimin e procedurave teknike dhe administrative gjatë raportimit të ndeshjes, pra lojtari është futur më vonë në protokollin e ndeshjes që ishte mbyllur baras.

Ndërkohë, delegati i ndeshjes Prishtina e Re – Drenica, Liridon Poroshtica, ishte dënuar me tre muaj ndalim të ushtrimit të detyrës për shkak të dështimit në zbatimin e rregulloreve të garave dhe mosrespektimit të detyrimeve që i takojnë delegatit të ndeshjes sipas protokollit zyrtar. /Telegrafi/

Latest news
Related news