Pronari i Napolit refuzon shitjen e klubit

Pronari i SSC Napoli, Aurelio De Laurentiis, ka refuzuar një ofertë marramendëse prej 2 miliardë eurosh nga një kompani amerikane për shitjen e klubit italian.

Sipas “Corriere dello Sport”, presidenti i klubit napolitan nuk ka ndërmend të heqë dorë nga drejtimi i ekipit, pavarësisht interesimit të madh nga investitorët amerikanë.

Oferta thuhet se është paraqitur nga një grup i udhëhequr nga Matt Rizzetta, president i klubit të Serie C, Campobasso FC, si dhe i skuadrës së basketbollit Napoli Basket.

Sipas raportimeve, bisedimet mes palëve nuk kanë prodhuar marrëveshje dhe madje janë ndërprerë para se të hynin në fazën e “due diligence”, që konsiderohet një hap kyç në procesin e shitblerjes së klubeve sportive.

“Corriere dello Sport” raporton se ka kontaktuar Matt Rizzettan lidhur me këto zhvillime.

Fillimisht ai kishte kërkuar shtyrjen e përgjigjes për një orë, ndërsa më pas reagimi erdhi përmes zyrës për media të Campobassos, ku u tha se nuk kishte asnjë koment për çështjen dhe se nuk ishin në dijeni për negociata të tilla.

Emri i Rizzettas është përmendur së fundmi edhe në lidhje me një interesim të mundshëm për blerjen e Reggina 1914.

Megjithatë, Campobasso ka sqaruar përmes një deklarate zyrtare se biznesmeni italo-amerikan mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj projektit aktual të klubit.

Latest news
Related news