Rezultatet e Testit të Arritshmërisë kanë nxitur debat të gjerë në opinionin kosovar.
Notat e larta në ditar, por rezultatet jo shumë të kënaqshme në provim. Vëmendjen më të madhe e ka tërhequr fakti që nxënësit e klasave të 9-ta kanë arritur rezultate më të mira në gjuhën angleze sesa në gjuhën shqipe, transmeton Klankosova.tv.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, në emisionin “Ora Shtatë” deklaroi se as rezultati i sivjetmë nuk ka ndonjë dallim me ato të viteve të kaluara.
“Shqetësim është mënyra e administrimit të testit dhe vazhdimi i organizimit të Testit të Arritshmërisë në një kohë kur kemi ardhur në një kohë ku ky test nuk ka më kuptim. Kur ky test ka filluar të aplikohet, është aplikuar në emër të reformave, por sistemi jonë arsimor nuk ka arritur ta bëjë këtë si duhet”, u shpreh ai në Klan Kosova.
Nga ana tjetër, aktivisti Adriatik Llugiqi tha se testimet janë të mira, atëherë kur, sipas tij, bëhen mirë.
“Kemi filluar me pa testimin vetëm si zgjidhje, ndërsa rezultatet e testit janë vetëm një lloj simptome e një sëmundje të madhe e cila është se çka është duke prodhuar sistemi jonë i arsimit”, tha Llugiqi në emisionin “Ora Shtatë”.
E gazetari Vullnet Krasniqi, kritikoi sistemin e arsimit në Kosovë, duke theksuar se i njëjti nuk ka dhënë ndonjë përparim ndër vite.
“Më së miri kanë dalë në anglisht, sesa në shqip. Gjuha shqipe është lënda që e mësojmë nga klasa e parë. Fakti që nxënësit më mirë po dalin në testin e gjuhës angleze sesa në shqip, kjo tregon për një dorëzim që ia kemi bë internetin”, u shpreh ai në Klan Kosova.
Drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani tha se shqetësues është fakti që testi fillon në ora 10:00, ndërsa sipas tij, vetëm një minutë pas nisjes së testit, përgjigjet janë të plasuara në internet.
“Shqetësuese është organizmi i këtij testi dhe serioziteti i tij”, tha ai në emisionin “Ora Shtatë”.



