Opinionistja Anita Shabani ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ai nuk është i interesuar për formimin e institucioneve, por për ta mbajtur pushtetin.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Shabani u shpreh se, sipas saj, Kurti po e zvarrit procesin e krijimit të institucioneve dhe nuk po u ofron partive opozitare një marrëveshje serioze për arritjen e një konsensusi.
“Po e konsumon kohën dhe po e konsumon atë që do ta përdorë në fushatë “ne u munduan, mirëpo opozita është bllokuese”. Ti nuk po i ofron diçka opozitës që të mund të arrini një konsensus në mënyrë që të formohen institucionet. Prandaj, mendoj që z.Kurti nuk është aspak i interesuar për formimin e institucioneve”.
Shabani tha se Qeveria e udhëhequr nga Kurti, sipas saj nuk ka sjellë ndryshimin e premtuar.
“Përderisa s’ka arritur me e bë atë ndryshim, ne nuk kemi progres, kemi vetëm regres”.
Ajo shtoi se, sipas vlerësimit të saj, Kurti nuk po arrin të qeverisë dhe se situatat e krizës i shërbejnë politikisht.
“Përderisa z.Kurti nuk po din me qeverisë, gjëja e vetme që po din me bë është me kriju kriza dhe në kriza ai po din me mbijetu”, tha Shabani.
Duke folur për motivet e mbajtjes së pushtetit, ajo deklaroi se Kurti e dëshiron atë për përfitimet që, sipas saj, i sjell posti.
“Z.Kurti po i pëlqen pushteti, por nuk po i pëlqen me qeverisë. Nuk po di. Po e don pushtetin sepse është i leverdishëm për z.Kurti”, u shpreh Shabani në Klan Kosova.



