ShBA zgjeron sulmet në Iran, godet objektiva në veri dhe çaktivizon një cisternë nafte

Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake kundër Iranit, duke zgjeruar sulmet ajrore edhe në pjesën veriore të vendit, ndërsa kanë çaktivizuar një cisternë nafte që, sipas autoriteteve amerikane, po përpiqej të thyente bllokadën detare ndaj porteve iraniane.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në zonat përreth Teheranit, ndërsa objektiv i sulmeve ishte edhe provinca Semnan, e njohur për programin e raketave balistike dhe aktivitetet hapësinore të Iranit, raporton Sky News.

Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Bahreinit, Jordanisë dhe Kuvajtit, duke rritur më tej tensionet në rajon.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e ShBA-së njoftoi se një avion amerikan goditi dhe çaktivizoi cisternën e naftës e cila po lundronte drejt ishullit Kharg, terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit në Gjirin Persik.

Sipas ShBA-së, anija kishte shpërfillur disa paralajmërime për t’u ndalur, ndaj u godit me një raketë , duke u bërë e paaftë për të vazhduar lundrimin drejt Iranit.

Latest news
Related news