Teksa presidenti amerikan, Donald Trump, po përmbyll vizitën në Izrael, në Egjipt më shumë se 20 udhëheqës botërorë po mblidhen në Sharm el-Sheik.
Trump do t’i bashkohet samitit disa orë më vonë. Në mesin e udhëheqësve janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri britanik, Keir Starmer.
Trump do të udhëheqë takimin së bashku me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, teksa udhëheqësit synojnë të finalizojnë marrëveshjen për përfundimin e luftës në Gazë.
Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ende nuk ka pranuar në tërësi planin 20 pikësh të Trumpit, edhe pse armëpushimi ka hyrë në fuqi dhe pengjet janë liruar.



