“Vdekje në Dorëzim”: Raporti i ri zbulon dëmet ndaj civilëve nga lufta me dronë në Afrikë

Një raport i ri nga organizata Drone Wars UK ka zbuluar shkallën alarmante të dëmeve ndaj civilëve nga sulmet ushtarake me dronë në disa shtete afrikane, përfshirë Etiopinë, Malin, Burkina Fason, Nigerinë, Somalinë dhe Sudanin.

Raporti, i titulluar “Vdekje në Dorëzim”, tregon se numri i viktimave civile po rritet ndjeshëm në vendet që operojnë dronë të armatosur të importuar nga Turqia, Kina dhe Irani.

Sipas gjetjeve, nga nëntori 2021 deri në nëntor 2024, të paktën 943 civilë janë vrarë në të paktën 50 sulme të ndryshme me dronë.

Nga gjashtë shtetet e hetuara, pesë prej tyre kanë konfirmuar përdorimin e dronëve Bayraktar TB-2, të prodhuar nga kompania turke Baykar, ndërsa disa operojnë edhe dronët Wing Loong II (kinezë) dhe Mohajer-6 (iranianë).

Këto shtete kryesisht janë të angazhuara në operacione ushtarake kundër grupeve të armatosura rebele, por shpesh dështojnë të bëjnë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve.

Raporti përfshin raste konkrete që ilustrojnë pasojat shkatërrimtare të sulmeve me dronë, transmeton Klankosova.tv.

Në rajonin Amhara të Etiopisë, një sulm me dron në tetor 2022 vrau më shumë se 85 civilë në fshatin Ch’obi.

Në Nigeri, një sulm i ushtrisë në dhjetor 2023, si pasojë e një “gabimi të inteligjencës ushtarake”, vrau të paktën 85 persona,  ndërsa raportime të tjera flasin për deri 125 viktima. Sulmi ndodhi gjatë festimeve të Mawludit, një festë fetare islame.

Raporti thekson se shumë nga këto sulme janë kryer në zona të populluara civile, shpesh pa ndonjë masë të dukshme mbrojtjeje për shmangien e viktimave.

Raporti ngre alarmin mbi nevojën për kontroll më të rreptë të eksportit të dronëve të armatosur, duke kritikuar prodhuesit që i shesin këto armë qeverive që nuk respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar.

Rritja e shpejtë e përdorimit të dronëve ushtarakë, të cilët po bëhen gjithnjë e më të lirë dhe të aksesueshëm, po përkeqëson situatën për miliona civilë të bllokuar në konflikte dhe paqëndrueshmëri politike.

Në përfundim, raporti u bën thirrje qeverive eksportuese të dronëve që të hetojnë dhe publikojnë dëmet civile të shkaktuara nga këto sulme.

Të angazhohen për mbrojtjen e civilëve dhe të vendosin masa të reja kontrolli mbi eksportin e dronëve.

Të rrisin transparencën dhe llogaridhënien në operacionet ushtarake me dronë.

Raporti gjithashtu kërkon që qeveria britanike të bashkëpunojë me shtete të tjera dhe organizata të shoqërisë civile për të vendosur rregulla ndërkombëtare më të forta mbi përdorimin dhe transferimin e dronëve të armatosur./Klankosova.tv.

The post “Vdekje në Dorëzim”: Raporti i ri zbulon dëmet ndaj civilëve nga lufta me dronë në Afrikë appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news