Ish-sulmuesi i njohur italian, Igor Protti, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, pas një beteje me kancerin.
Lajmin e hidhur e bëri të ditur familja e tij përmes një komunikate, ku publikoi edhe mesazhin e fundit të ish-futbollistit.
“Ky udhëtim i mrekullueshëm, si çdo ndeshje, arriti te vërshëllima e fundit. E vetmja gjë që mund të bëj është të falënderoj familjen time të mrekullueshme, të gjithë njerëzit që më deshën dhe më qëndruan pranë, si dhe tifozët e të gjitha skuadrave ku kam luajtur, për dashurinë dhe përkrahjen e treguar gjithmonë. Shpresoj që ky të jetë një mirupafshim dhe jo një lamtumirë”, ishte mesazhi prekës i Prottit.
Protti zbuloi në qershor të vitit të kaluar se ishte diagnostikuar me kancer, ndërsa muaj më vonë bëri të ditur se sëmundja ishte përhapur edhe në vertebra, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë karrierës së tij, Igor Protti ishte një nga sulmuesit më të spikatur të futbollit italian.
Ai veshi fanellat e Messinës, Barit, Lazios, Napolit dhe Livornos, ndërsa u bë golashënuesi më i mirë i Serie A në sezonin 1995/96 me Barin.
Në Livorno u shndërrua në një ikonë të klubit, duke udhëhequr ekipin drejt rikthimit në Serie A pas më shumë se pesë dekadash dhe duke fituar dashurinë e tifozëve. Ndarja nga jeta e Igor Prottit ka tronditur futbollin italian, ndërsa mesazhe ngushëllimi kanë nisur të vijnë nga ish-bashkëlojtarë, klube dhe tifozë të shumtë që e vlerësuan si për golat, ashtu edhe për karakterin e tij.



