Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve, Sh. O., një i mitur dhe A. O. , të dyshuar për vrasjen e Albian Osmanaj në Kobaj të Prizrenit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, Sh. O. dhe i mituri dyshohen për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa A. O. ( nëna e të dyshuarve) dyshohet për “shtytje në vrasje të rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari Sh. O. dhe i mituri, më datë 14.06.2026, në fshatin Kobaj, Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje dhe me dashje privojnë nga jeta viktimën A.O. dhe me atë rast vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit I.O., të shtyrë nga e dyshuara A.O. – nëna të pandehurve, në atë mënyrë që pas një konflikti të mëhershëm të lindur nga mosmarrëveshjet lidhur me emërtimin e rrugës në lagjen e tyre, fillimisht përfshihen në një konflikt verbal e më pas fizik me viktimat A.O. dhe I.O., të cilët përdorin mjete të mprehta – thika, i sulmojnë dhe i godasin ata. Si pasojë e goditjeve të marra me thikë në pjesën e gjoksit, viktima A.O. ndërron jetë, ndërsa i dëmtuari I.O. pëson lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, për çka është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, thotë Prokuroria. /Klankosova.tv



