Vushtrria është shpallur kampione e Ligës së Parë dhe ka siguruar rikthimin në Superligën e Kosovës pas plot gjashtë vitesh mungesë.
Skuadra vushtrriase fitoi derbin direkt për inkuadrim ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 1-3, në një përballje vendimtare që vulosi sezonin fantastik të mysafirëve, transmeton Klankosova.tv.
Vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e Dardan Jasharit, duke ndezur atmosferën në stadium, por reagimi i Vushtrrisë ishte i menjëhershëm dhe i fuqishëm. Urim Statovci ishte protagonisti kryesor me dy gola të realizuar, ndërsa Erjon Krasniqi shtoi edhe golin e tretë që vulosi triumfin dhe titullin kampion.
Pas viteve të vështira jashtë elitës, Vushtrria rikthehet më në fund në Superligë, duke rikthyer edhe një nga emrat tradicionalë të futbollit kosovar në mesin e më të mirëve.



