
I dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, ndodhet në qendër të një skandali të ri, i lidhur me një bisedë telefonike sekrete me Yuriy Ushakovin, këshilltarin kryesor të presidentit rus, Vladimir Putin.
Witkoff, pa e informuar publikun, pati një bisedë telefonike me Ushakovin ku e këshilloi se si Putini do t’i bëjë komplimente Trumpit, dhe se këto dy vende duhet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje pa përfshirjen e Ukrainës.
Telefonata u bë para se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të vizitonte zyrtarisht Uashingtonin, gjë që gjithashtu ishte temë e bisedës së Witkoffit me Ushakovin.
Witkoff e këshilloi bashkëpunëtorin e Putinit që presidenti rus duhet ta telefononte Trumpin para kësaj vizite për të “neutralizuar” presidentin amerikan, i njohur për politikat që bazohen tek personat me të cilët ka pasur bisedat e fundit, raporton theguardian.

Përveç idesë për bisedën telefonike, Witkoff i dha Ushakovit këshilla se çfarë duhet të thoshte Putini, duke sugjeruar që ai duhet të lavdëronte disa herë marrëveshjen e paqes në Gaza për të ruajtur një marrëdhënie të mirë me presidentin amerikan.
Ushakov duket se mori parasysh disa nga këshillat. Putin ‘do të përgëzojë’ dhe do të thotë: ‘Zoti Trump, je njeri i vërtetë i paqes,’ tha ai.
Ndryshe, ky nuk është skandali i vetëm i lidhur me Witkoffin dhe Rusinë. I dërguari special më parë ka qenë objekt kritikash, duke u quajtur “pro-rus” brenda administratës Trump, ndërsa veçanërisht i kontestuar ishte vizita e tij tek Putini në Kremlin në prill të këtij viti.
Vlen të përmendet se Witkoff konsiderohet një nga krijuesit e planit prej 28 pikash, të cilin ukrainasit e refuzuan si të papranueshëm.
Në negociatat në Zyrih, ku Witkoff nuk mori pjesë, delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës arritën të bien dakord për një plan prej 19 pikash. /Telegrafi/



