“Zgjedhje ose nënshtrim”, opinionistët flasin për skenarët pas takimeve të Kurtit me liderët (VIDEO)

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve kanë nisur zyrtarisht bisedimet për formimin e institucioneve të vendit.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, tashmë ka realizuar dy takime, një me liderin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe një tjetër me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe ish-presidenten, Vjosa Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Në emisionin “Kosova Today”, opinionisti Azdren Shala tha se nga këto bisedime, sipas tij, u kuptua që Kurti as PDK-në e LDK-në nuk i merr në qeverisje.

“[Kurti] i ka dy oferta, ose shkojmë në zgjedhje, që me shumë gjasa kemi me shku, ose i nënshtroheni një vullneti tim, në këtë rast propozimin tim, që kandidatin për president e qes unë. Jemi t’u fol për një situatë politike, ku për fatin e keq të Kosovës, po dominon Kurti”, u shpreh Shala në Klan Kosova.

Nga ana tjetër, opinionisti Ardian Gaxherri tha se Kurti po e parasheh që institucionet t’i krijojë me PDK-në dhe LDK-në.

“Ose ka vendosur që të bëjë një qeveri teknike, ose zotëri Kurti po mundohet që të tërheq LDK-në në pikën që ta ndajë në dysh”, u shpreh Gaxherri në Klan Kosova.

Ndërkohë, opinionisti Sali Rexhaj tha se situata nuk është e njëjtë sikur e 9 shkurtit.

“Nuk ka parti tjetër e cila mundet me i evitu zgjedhjet e tjera të jashtëzakonshme”, tha ai ndër të tjera.

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme:

Latest news
Related news