4.4 milionë euro dyshohet se kushton ura e tretë mbi Ibër, kontrata mbetet “top sekret” (VIDEO)

Punimet për ndërtimin e urës së tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë kanë nisur në terren, por procedura përmes së cilës është dhënë projekti vazhdon të mbetet jashtë syrit të publikut. Sipas burimeve të Kiks Kosovës brenda Ministrisë së Infrastrukturës, kontrata për ndërtimin e urës së tretë dyshohet se kap vlerën prej rreth 4.4 milionë eurosh dhe është lidhur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Megjithatë, deri më tani në platformën zyrtare të E-Prokurimit nuk figuron asnjë njoftim që lidhet me këtë projekt. Ura e tretë u promovua më 5 qershor nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili njoftoi nisjen e punimeve duke e cilësuar projektin si të rëndësishëm për lidhjen e lagjeve dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve. Sipas prezantimit zyrtar, ura do të lidhë Zhabarin e Gushacit me Vidimriqin.

Për dallim nga promovimi publik i projektit, dokumentacioni që do të duhej të tregonte se si është dhënë kontrata dhe kush e ka fituar atë nuk është bërë publik. Në vendpunishte, ekipi i Kiks Kosovës ka parë makineri me logon e kompanisë “Eurokos Holding” dhe poshtë saj edhe llogoja e kompanisë “Dio Bes”, kompani e cila ka realizuar edhe dy urat e para mbi lumin Ibër, si dhe rrugën lidhëse që i bashkon ato me rrugën kryesore Mitrovicë Veri-Jug. Nëse konfirmohet vlera prej 4.4 milionë eurosh, ura e tretë do të kushtojë rreth 1.5 milion euro më shumë sesa dy urat e para së bashku, të cilat ishin kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës në vitin 2025 për afro 3 milionë euro.

Po ashtu, Eurokos Holding kishte fituar edhe kontratën prej rreth 480 mijë eurosh për ndërtimin e rrugës lidhëse, gjithashtu përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kështu, vetëm për tri projektet e lidhura me lumin Ibër, dy urat e para, rrugën lidhëse dhe urën e tretë, vlera e kontratave arrin në afro 8 milionë euro. Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje te ekspertët e prokurimit publik.

Hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Diana Metushi Krasniqi, vlerëson se as dy urat e para dhe as ura e tretë nuk i përmbushin kushtet ligjore për t’u trajtuar si projekte emergjente. Sipas saj, kjo procedurë mund të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme, si fatkeqësitë natyrore ose situatat e forcës madhore, ndërsa në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë ekziston konkurrencë e mjaftueshme për zhvillimin e procedurave të hapura të prokurimit.

Ndërkohë, kontratat për dy urat e para mbi Ibër tashmë janë objekt hetimi nga Prokuroria Speciale, e cila ka bërë të ditur se po verifikon ligjshmërinë e procedurave të prokurimit dhe përdorimin e fondeve publike. Për të kuptuar nëse hetimet janë zgjeruar edhe te ura e tretë, si dhe për të sqaruar procedurën e ndjekur për këtë projekt, Kiks Kosova ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës, Prokurorinë Speciale dhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Deri në publikimin e hulumtimit, asnjëra nga institucionet nuk kishte kthyer përgjigje.

Latest news
Related news