Amerika feston sot 250 vjet pavarësi, Arlind Sadiku raporton nga ShBA-ja (VIDEO)

Arlind Sadiku ka raportuar nga Filadelfia për Klan Kosova, në zemër të historisë amerikane, për festimet e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai është pozicionuar përpara Independence Hall, vendit historik ku më 4 korrik 1776 delegatët e 13 kolonive miratuan Deklaratën e Pavarësisë, dokumentin që shënoi shkëputjen nga Perandoria Britanike dhe lindjen e një shteti të ri mbi parimet e lirisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut.

Megjithatë, Filadelfia nuk është vetëm qendër e festimeve historike. Në të njëjtin qytet sonte zhvillohet edhe një nga përballjet më të rëndësishme të fazës së eliminimit në Kupën e Botës, ku Franca përballet me Paraguajin.

Nga vendi i ngjarjes, Sadiku ka përshkruar atmosferën dhe përjetimin e tij nga afër, duke theksuar fuqinë ushtarake amerikane të ekspozuar gjatë festimeve, ndërsa ka pyetur edhe njerëzit të cilët gjendet në qytetin e Filadelfia-s në këtë ditë feste.

“Të them që jam i emocionuar do të ishte pak. Nuk po e teproj kur them se më kanë dalë lotët një ose dy herë derisa ecja këtu. Prej disa vitesh bashkëpunoj me Qendrën Kombëtare të Kushtetutës dhe çdo kë korrik vij këtu për të interpretuar personazhe historike, por këtë herë është ndryshe. Për herë të parë festimet përkojnë me kupën e botës dhe atmosfera është e jashtëzakonshme. Është 250 vjetori i Amerikës dhe emocionet që ndihen këtu nuk i kam përjetuar kurrë më parë. Kjo më bën vërtetë krenar që jam amerikan sot,” ka thënë një qytetar amerikan për Klan Kosova.

“Është me të vërtetë emocion kur sheh dhe përjeton fuqinë ushtarake të shtetit më të fortë në botë. E sot gjatë tërë ditës janë ekspozuar për publikun armë, raketa, tanke dhe artileria e jashtëzakonshme që ka ky vend. Dhe sot me sytë dhe veshët e mi e përjetova vetëm zhurmën e këtyre raketave që është shurdhuese dhe jam i lumtur që si Kosovë rreshtohemi si aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veç paramendoni se si do të ishte të ishim në anën tjetër apo më mirë mos e paramendoni fare. Ju dërgoj urimet më të sinqerta amerikanëve dhe popullit shqiptar që janë proamerikanë nga vendi ku u shpall pavarësia e Amerikës më 4 korrik 1776.” ka deklaruar Sadiku.

Në fund të raportimit të tij, Sadiku ka uruar popullin amerikan në këtë ditë historike, duke theksuar edhe lidhjet e forta të Kosovës me SHBA-në si aleate strategjike.

Për më shumë ndiqeni kronikën në vijim:

Latest news
Related news