Shtëpia më e madhe e futbollit, FIFA, ka publikuar zyrtarisht listat përfundimtare të 48 kombëtareve pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026, vetëm nëntë ditë para fillimit të turneut më të madh në historinë e futbollit.
Ndërsa në këtë listë të publikuar, janë bërë të ditur edhe statistikat interesante të Kampionatit Botëror, transmeton Klankosova.tv.
Portieri i Skocisë, Craig Gordon, do të jetë futbollisti më i vjetër në turne me 43 vjet e 162 ditë, ndërsa talenti meksikan Gilberto Mora do të jetë më i riu me vetëm 17 vjet e 240 ditë.
Në total, 22 futbollistë nën moshën 20-vjeçare do të jenë pjesë e Botërorit, ndërsa shtatë lojtarë do ta nisin garën në moshën 40-vjeçare ose më të madhe. Gjithashtu, 22 fitues të mëparshëm të Kupës së Botës do të rikthehen edhe një herë në turneun më prestigjioz të futbollit.
Botërori do të sjellë gjithashtu në qendër të vëmendjes një brez të ri yjesh, ku spikasin emra si Warren Zaire-Emery i Francës, Finn Surman i Zelandës së Re dhe Bilal El Khannouss i Marokut.
Në anën tjetër, spektakli nuk do të mungojë as nga emrat legjendarë të futbollit botëror. Lionel Messi me Argjentinën, Cristiano Ronaldo me Portugalinë dhe portieri meksikan Guillermo Ochoa janë gati të shkruajnë histori duke marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të gjashtë në karrierë, një rekord i jashtëzakonshëm në futbollin ndërkombëtar.
FIFA ka bërë të ditur gjithashtu se në listat përfundimtare përfaqësohen 449 klube të ndryshme nga 71 shtete të botës, çka tregon karakterin global të futbollit modern. Nga këto klube, 35 vijnë nga Evropa, 14 nga Azia, tetë nga Amerika e Jugut, shtatë nga Amerika e Veriut dhe Qendrore, gjashtë nga Afrika dhe një nga Oqeania.
Statistikat tregojnë gjithashtu dallime interesante mes kombëtareve. Katari dhe Arabia Saudite kanë ndërtuar pothuajse tërësisht skuadrat e tyre me lojtarë që luajnë në kampionatet vendase, me 25 nga 26 futbollistë që aktivizohen në ligat e tyre kombëtare.
Ndërkohë, transmeton klankosova.tv kombëtare si Kepi i Gjelbër, Republika Demokratike e Kongos, Bregu i Fildishtë, Kuraçao, Senegali dhe Uruguai kanë grumbulluar lojtarë që aktivizohen pothuajse ekskluzivisht në kampionate jashtë vendit.
Edhe në stol pritet të ketë histori të veçanta. Trajneri portugez i Ganës, Carlos Queiroz, do të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të pestë radhazi, pasi më parë ka drejtuar Portugalinë dhe Iranin në katër edicione të njëpasnjëshme. Ai bëhet vetëm trajneri i dytë në histori që arrin një sukses të tillë, pas legjendës Bora Milutinović.



