Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e keqpërdor pozitën zyrtare përmes emërimit të zëvendësministrave të rinj, duke u bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime.
Sipas tij, emërimet e reja në një qeveri me mandat të kufizuar janë të pajustifikueshme, pasi me formimin e qeverisë së re do të emërohet një kabinet i ri dhe do të nxirren vendime të reja për funksionarët qeveritarë.
“Është e pakuptimtë të emërohen ministra apo zëvendësministra të rinj kur dihet se me krijimin e qeverisë së re do të ketë emërime të reja. Këto pozita mund të zgjasin vetëm disa javë”, u shpreh ai mbrëmë në Edicionin Special të Klan Kosovës.
Miftaraj theksoi se një qeveri në detyrë ka mandat të kufizuar, i cili, sipas tij, duhet të shërbejë vetëm për administrimin e çështjeve të domosdoshme dhe jo për marrjen e vendimeve që tejkalojnë këtë mandat.



