E rëndë në Turqi: 30-vjeçarja humb jetën pasi bie nga kati i 7-të, arrestohet i fejuari

Në Ankara të Turqisë, një grua 30-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i banesës në katin e 7-të ku jetonte me të fejuarin e saj.

Sipas mediave turke, pas ngjarjes është arrestuar i fejuari i saj, 46-vjeçari Fatih Ozsen, i cili më pas është dërguar në paraburgim nga autoritetet.

Ngjarja ka ndodhur më 25 mars në lagjen Yenimahalle, transmeton Klankosova.tv.

 Viktima, Turkan Biçer, fillimisht është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Ankara.

Më pas, trupi i saj është marrë nga familjarët dhe është varrosur, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Ndërkohë, mediat kanë publikuar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku shihet çifti duke mbërritur me taksi në ndërtesë, duke debatuar në hyrje të saj dhe më pas duke u ngjitur në banesë, pak para ngjarjes tragjike.

Autoritetet turke po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

Latest news
Related news