Legjenda e Liverpoolit, Robbie Fowler, ka lënë të hapur mundësinë që një ditë Jude Bellingham të veshë fanellën e “Reds”.
Mesfushori anglez po vazhdon aventurën e tij te Real Madrid, ku u transferua në vitin 2023 nga Borussia Dortmund për rreth 103 milionë euro. Megjithatë, Fowler beson se rikthimi i tij në Premier League nuk përjashtohet në të ardhmen.
Sipas ish-goleadorit të Liverpoolit, Bellingham ka ende hapësirë për përmirësim në disa aspekte të lojës së tij, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që ka treguar gjatë viteve të fundit.
Fowler vlerëson se eksperienca në Madrid do ta ndihmojë anglezin të zhvillohet edhe më shumë para se të mendojë për një rikthim në Angli.
Karriera e 22-vjeçarit ka qenë në ngritje të vazhdueshme. Ai debutoi me ekipin e parë të Birmingham City në moshën 16-vjeçare, më pas kaloi te Dortmundi në vitin 2020, ku shpërtheu në skenën evropiane. Transferimi te Real Madridi e konfirmoi si një nga mesfushorët më të mirë të brezit të tij.
Megjithëse dëmtimet në dy sezonet e fundit kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij, Bellingham mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit anglez. Dhe sipas Fowlerit, nëse një ditë vendos të largohet nga Madridi, Liverpooli mund të jetë destinacioni ideal për rikthimin e tij në Premier League./Klankosova.tv




