OEK: Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” merr njohje ndërkombëtare, arritje historike!

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë është e njohur ndërkombëtarisht, duke shënuar një arritje të rëndësishme dhe historike për ekonominë e Republikës së Kosovës.

Në Paris, OEK është akredituar zyrtarisht nga Oda Ekonomike Ndërkombëtare dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike për lëshimin e Certifikatave të Origjinës me njohje globale, transmeton Klankosova.tv

“Ky proces përfaqëson rezultat të një pune të gjatë institucionale dhe profesionale, me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës në tregtinë ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së produkteve kosovare në tregjet globale.

Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, Certifikatat e Origjinës të lëshuara nga Oda Ekonomike e Kosovës do të kenë validitet ndërkombëtar të pranuar, duke mundësuar një prezantim më të fuqishëm të produkteve vendore në tregjet botërore.” – thuhet në njoftim.

Sipas Odës, ky hap strategjik përfaqëson avancim të rëndësishëm në: forcimin e eksportit të produkteve kosovare, rritjen e kredibilitetit dhe besueshmërisë ndërkombëtare të bizneseve vendore, digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve tregtare dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për prodhuesit dhe eksportuesit e Kosovës. /Klankosova.tv

 

Latest news
Related news